Ndërlidhjet

Koha që Turqia të ndalojë së ndenjuri duarkryq


Protestues në Turqi...
Protestues në Turqi...

Qyteti sirian, por në fakt kurd i Kobanit, i rrethuar nga të trija anët nga forcat e Shtetit Islamik, është në prag të rënies, shkruan gazeta Independent.

Sipas saj, një gjë e tillë do të ishte shenjë e fitores për xhihadistët militantë dhe do të paralajmëronte mizori të mëtejshme në një rajon që tashmë ka vuajtur shumë të tilla.

Sulmet ajrore, që kanë për qëllim të ndalojnë avancimin e Shtetit Islamik, por që deri më tani kanë pasur efekt të kufizuar, udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara, një fuqi që ndodhet 6,000 milje larg dhe që nuk ka interes jetik në rajon, shkruan Independent. Këto sulme mëbshteten edhe nga vende të tjera të largëta të NATO-s, përfshirë Britaninë.

Sipas gazetës, nga Turqia mund të shihet flamuri i zi i Shtetit Islamik se si valon në qytetin Kobani dhe është Turqia ajo që ka interes të drejtpërdrejtë, jetik dhe të menjëhershëm. Megjithatë, ky vend, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, është duke qëndruar duarkryq, siç duket i patrazuar nga ndarja e kufirit me grupin më të egër islamik deri më tani.

Mosveprimi i Turqisë pasqyron një dilemë të thellë, shkruan gazeta. Ai është një vend mysliman, por nuk do që ta ketë fqinj Shtetin Islamik. Në anën tjetër, grupi është duke bërë në mënyrë efektive punën e pistë të Ankarasë. Grupi është armik i përbetuar i regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, rrëzimi i të cilit ka qenë qëllim i Turqisë që nga fillimi i luftës civile në Siri, më shumë se tre vjet më parë.

Për më tepër, rënia e Kobanit do të ishte goditje e rëndë strategjike për kurdët dhe për synimet e tyre për të krijuar një shtet të pavarur dhe të bashkuar kurd, të cilin Turqia e ka kundërshtuar për kohë të gjatë dhe në mënyrë të përgjakshme, kujton gazeta. Dhe, sipas saj, shqetësimi tani duhet të balancohet kundër një kryengritjeje të re nga kurdët turq.

Tashmë ka pasur përleshje në disa qytete turke, midis policisë dhe protestuesve që kundërshtojnë ngurrimin e dukshëm të Ankarasë për të shpëtuar Kobanin.

Independent shkruan se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duhet të faktorizojë rrezikun e sulmeve të Shtetit Islamik brenda Turqisë. Në fillim të konfliktit sirian, Turqia ka lejuar elemente të opozitës siriane që të kërkojnë strehim dhe të operojnë nga toka e saj. Midis tyre ka pasur edhe xhihadistë radikalë, të cilët mund të kryejnë sulme terroriste brenda Turqisë nëse presidenti urdhëron ndërhyrjen.

Në mënyrë të pashmangshme, kriza aktuale ngre edhe pyetjen se çfarë mund të bëjnë më shumë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Sulmet ajrore, sipas gazetës, kanë pasur sukses të kufizuar, andaj a duhet SHBA-ja dhe Perëndimi të nisin pushtimin dhe të zhyten në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme?

Përgjigjja mbetet një jo e theksuar, edhe pse disa forca speciale mund të infiltrohen në terren për të koordinuar më mirë sulmet ajrore.

Gazeta shkruan se zgjidhja duhet të jetë rajonale dhe koalicioni i vendeve të Lindjes së Mesme, që Uashingtoni ka mbledhur, do të bënte punë. Por, mjerisht, realiteti është se anëtarët e këtij koalicioni kanë një armik të përbashkët në Shtetin Islamik, por agjendat e tyre dhe qëllimet përfundimtare ndryshojnë shumë.

Fushata, siç ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, “për të degraduar dhe shkatërruar” organizatën, mund të marrë vite. Ajo mund të shkurtohet në mënyrë drastike vetëm nëse Turqia mbledh mendjen dhe vepron, shkruan gazeta Independent.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG