Ndërlidhjet

Municioni i Serbisë te militantët e Shtetit Islamik


Militantët e Shtetit Islamik në Siri
Militantët e Shtetit Islamik në Siri

Serbia është radhitur si vendi i pestë në listën e prodhuesve të armëve, municionet e së cilës po i përdorin militantët e Shtetit Islamik.

Në hulumtimin e grupit “Conflict Armament Research”, thuhet se Serbia është radhitur menjëherë pas Kinës, ish-Bashkimit Sovjetik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.

Ky përfundim është nxjerrë pas analizave të municioneve, të cilat janë prodhuar në 21 vende të botës, në intervalin kohor prej vitit 1945 e deri në vitin 2014.

Një pjesë e madhe e këtyre municioneve ka qenë nën posedimin e forcave të sigurisë së Irakut dhe Sirisë, të cilat më pas ishin rrëmbyer nga militantët e Shtetit Islamik, thuhet në këtë hulumtim, i cili është transmetuar në mediat botërore.

Momir Stojanoviq, kryetar i Komisionit Parlamentar për kontrollimin e shërbimeve të sigurimit në Serbi, si dhe ish-drejtor i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak Serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka quajtur dashakeq dhe të manipuluar faktin se “municioni i Serbisë, armatimi dhe pajisjet ushtarake, gjenden në duart e islamikëve radikalë”.

“Serbia asnjëherë nuk i ka dërguar armatime dhe pajisje ushtarake asnjë lëvizjeje politike, e as islamike, e sidomos jo islamikëve radikalë, por shteteve zyrtare, të cilat janë paraqitur si blerëse në tregun tonë”, ka theksuar Stojanoviq.

Nga 1 mijë e 730 lloje të municioneve, të cilat janë analizuar, 142 prej tyre janë prodhuar në Serbi, 445 në Kinë, 338 në ish-Bashkimin Sovjetik, 323 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 154 në Rusi. Municionet e harxhuara i kanë konfiskuar gjatë verës luftëtarët kurdë, si dhe i kanë mbledhur hetuesit e grupit “Conflict Armament Research”, në vend-betejat, të cilat militantët e Shtetit Islamik i kanë braktisur kohë më parë.

Informatat se Serbia është ndër vendet, municioni i së cilave shfrytëzohet nga militantët e Shtetit Islamik, nuk është ndonjë befasi për njohësit e zhvillimeve.

Njëri prej tyre, Aleksandar Radiq, analist ushtarak, ka thënë se municionet serbe janë shitur në tërë regjionin e Lindjes së Afërt dhe se ajo që është prodhuar në “Prvi partizan” në Uzhicë, është përhapur në mbarë botën, për shkak të kualitetit.

“Në dekadën e kaluar për nevojat e armatimit, para së gjithash të forcave irakiane të sigurimit, një sasi shumë e madhe e armatimit dhe municionit për këmbësori, është eksportuar nga zonat e ish-Jugosllavisë, përmes kompanive amerikane. Pjesa më e madhe e atyre rrjedh prej magazinave të forcave të armatosura të Bosnje e Hercegovinës, gjegjësisht nga tepricat e ushtrive të entiteteve. Ka pasur aty dërgesa të mëdha nga Serbia dhe Kroacia”.

“Do të thotë, janë rrugë të ndryshme, përmes të cilave, armatimi për këmbësori dhe municioni për ato armatime, kanë arritur deri në Siri dhe në Irak. Por, fakti se ato mjete gjenden atje, nuk do të duhej të ndikonte në reputacionin politik dhe moral të Serbisë, për shkak se prodhuesi nuk mund të jetë përgjegjës për keqpërdorimin e mjeteve në terren”, ka theksuar Radiq.

Por, çfarë po ndodh në terren dhe në cilën mënyrë mundet armatimi i prodhuar në Serbi, të paraqitet në duart e militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri?

Radiq e ka arsyetuar duke thënë se ato kanë rrjedhë nga armata e ish-Jugosllavisë.

“Të flasim për mjetet që në atë kohë janë punuar për nevojat e Armatës Popullore të Jugosllavisë. Ato, janë shndërruar në pronë të Kroacisë, në kohën e luftës. Kroacia ia ka shitur Jordanisë, ndërkaq nga Jordania ato kanë arritur deri tek organizatat rebele, e një nga fraksionet e tyre është pikërisht Shteti Islamik”, ka shpjeguar Aleksandar Radiq.

Edhe Momir Stojanoviq, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak, ka dhënë arsyetimin se armatimi dhe municionet e prodhuara në Serbi, të cilat tash gjenden në duart e militantëve të Shtetit Islamik, ish-Jugosllavia, por edhe Serbia, ua kishin dërguar shteteve të caktuara, derisa në to kishte funksionuar sistemi ligjor.

“Serbia, në mënyrë legale i ka furnizuar ato vende. Fakti se magazinat janë zënë nga ana e lëvizjeve islamike dhe se ai armatim dhe municionet janë gjetur në duart e tyre, nuk është për faj të Serbisë, por për fajin e vetë gjendjes së përgjithshme në ato shtete”, ka pohuar Stojanoviq.

Ndryshe, sipas hulumtimeve të “Conflict Armament Research”, municioni i cili ishte dërguar në Siri dhe Irak, me qëllim të stabilizimit dhe forcimit të qeverive të atjeshme, ka përfunduar në duart e militantëve të Shtetit Islamik, gjë që e ndihmon forcimin e tij.

Për James Bevan, drejtor i grupit “Conflict Armament Research”, e gjithë kjo jep një porosi të qartë:

“Nga ky shembull mund të nxirret mësimi se forcat e sigurisë, të cilat marrin municion nga shtetet tjera, nuk kanë kontroll mbi ato dërgesa”.

Lajmi për municionin serb në duart e militantëve të Shtetit Islamik, ka arritur në momentin kur Kuvendi i Serbisë po debaton për propozim-ligjin për eksportin dhe importin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake.

Përkujtojmë që organizata joqeveritare “Gratë në të zeza” (“Žene u crnom”), qysh në vitin 2007, pati protestuar kundër eksportimit të armatimit për këmbësori në Irak, duke konsideruar se një gjë e tillë e bën përgjegjëse Serbinë për vdekjen e civilëve në Irak.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG