Ndërlidhjet

Kobani, alarmon ndërkombëtarët – SHBA intensifikon sulmet


Kobani

Kobani

Ushtria amerikane, ka njoftuar, sot, se koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA, ka intensifikuar sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Siri, duke realizuar 6 sulme, afër qytetit Kobani, në kufi me Turqinë.

Sipas një deklarate të Qendrës Komanduese amerikane, sulmet kanë shkatërruar artileri dhe automjete të IS.

Njoftimet, ardhur nga vendi i ngjarjes, thonë se militantët e IS, janë tërhoqur nga pozicionet e tyrë ne perëndim të qytetit, gjatë mesnatës së martë, por sot, më 8 tetor, atje luftimet po vazhdojnë në lindje dhe verilindje të Kobanit.

Salih Muslim Muhammad, udhëheqës i lëvizjes kurde siriane, PYD, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se sulmet ajrore ndërkombëtare kanë shkatërruar ‘tanke të militantëve të IS.

Muhammad, ka shtuar se këto sulme kanë ndihmuar kurdët në Kobani, por sipas tij, ato nuk mjaftojnë dhe duhet vazhduar.

Në ndërkohë, Presidenti francez, Francois Hollande, i ka thënë Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, sot, se ai mbështet idenë e Turqisë, që të dërgohen trupa turke në kufi me Sirinë, për të mbrojtur banorët që po shpërngulen nga zona e luftës.

Erdogan, ka paralajmëruar se Kobani, qytet me rreth 400,000 banorë, është në rrezik të madh për të rënë i tëri në duart e militantëve të IS.

Megjithatë, Turqia deri më tani ka refuzuar që të dërgojë trupa në veri të Sirisë, edhe pse parlamenti turk, ka miratuar rezolutën përmes së cilës lejohet dërgimi i trupave turke në veri të Sirisë, nëse qeveria e sheh të arsyeshme një gjë të tillë.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura, ka bërë thirrje për aksion të menjëhershëm ndërkombëtar për t’i mbështetur mbrojtësit sirianë kurdë të Kobanit.

Ai ka paralajmëruar se vendi gjendet para krizës së lartë humanitare, përfshirë edhe rrezikun për ekzekutime masive, në rast se militantët e IS, uzurpojnë Kobanin.

Uzurpimi i Kobanit, po ashtu do t’i mundësonte militantëve të IS, që të kontrollojnë gjithë kufirin Siri-Turqi.

Ndryshe, edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thirrur kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, për të diskutuar për ngurrimin e Ankarasë për t'u përfshirë në luftë kundër militantëve në Kobani.

XS
SM
MD
LG