Ndërlidhjet

Deputetët e bllokut opozitar debatojnë në Kuvend


Pamje nga seanca e 17 korrikut

Pamje nga seanca e 17 korrikut

Katër muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë më 8 qershor, partitë politike që kanë hyrë në një koalicion pas-zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, me mbështetjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, janë duke zhvilluar një debat në Kuvendin e Kosovës.

Në Kuvend nuk është e pranishme Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi dhe as shumica e përfaqësuesve të pakicave kombëtare në Kosovë.

Sipas tyre, seanca e sotme, e thirrur nga ai që njihet si bllok opozitar, është jokushtetuese, duke qenë se nuk është e thirrur nga kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina nga PDK. Seancat konstituive i kryeson deputeti më i moshuar në sallë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Pikërisht në cilësinë e deputetit më të ri, Teuta Rugova nga LDK, e nisi seancën e sotme, të thirrur me nënshkrimet e 62 ligjvënësve.

Seanca konstituive ka nisur më 17 korrik dhe që prej atëherë, i gjithë procesi zgjedhor është ngarkuar më një numër lëndësh të dërguara në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për interpretim se kush ka të drejtë të njihet si grupi më i madh parlamentar, kush ka të drejtë të emërojë kryetarin e Kuvendit dhe kush ka të drejtë të formojë qeverinë.

Zgjedhjet e 8 qershorit kanë përfunduar me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, por nuk e ka numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvend për të formuar institucionet.

XS
SM
MD
LG