Ndërlidhjet

NYT: Loja e rrezikshme e zotit Erdogan


Erdogan gjatë një fjalimi në Turqi...
Erdogan gjatë një fjalimi në Turqi...

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njëherë ka pasur aspirata për ta udhëhequr botën myslimane, shkruan në fillim të editorialit të vet e përditshmja New York Times, dhe konstaton se në kohën e tashme të krizës rajonale, ai ishte çdo gjë por jo lider.

Trupat turke dhe tanket kanë qëndruar në mënyrë pasive para mburojave me tela me gjemba, ndërsa një mile më tutje në Siri, ekstremistët islamikë e kanë rrethuar qytetin Kobani dhe popullatën e tij kurde.

Kjo është një akuzë ndaj zotit Erdogan dhe kalkulimeve të tij cinike, shkruan New York Times. Duke i mbajtur anash forcat e tij dhe duke refuzuar të ndihmoj në mënyra të tjera, sikur për shembull me lejimin e luftëtarëve kurdë që të kalojnë nëpër Turqi, ai synon jo vetëm t’i dobësoj kurdët, por po ashtu, në një test të gatishmërisë me presidentin Obama, t’i detyroj Shtetet e Bashkuara ta ndihmojnë atë në përmbysjen e Bashar al-Assadit në Siri, të cilin Erdogan e urren.

Ka, po ashtu, dëshmi për konfuzion dhe tensione të brendshme, që kanë efekt në strategjinë në progres të zotit Obama, për ta degraduar dhe mposhtur Shtetin Islamik, grup ekstremist i myslimanëve sunitë, që është i njohur edhe me shkurtesën ISIS ose ISIL.

Luftëtarët kurdë në Kobani për javë të tëra po luftojnë për ta zmbrapsur Shtetin Islamik.

Në kuadër të ndihmës, amerikanët e kanë shtuar intensitetin e sulmeve ajrore, të cila kanë filluar t’i detyrojnë luftëtarët e ISIS-it që të tërhiqen, megjithëqë luftimet e armatosura dhe eksplodimet kanë vazhduar ditën e mërkurë, shkruan New York Times.

Por, të gjitha palët, amerikanët, zoti Erdogan dhe kurdët, pajtohen se forcat e këmbësorisë janë të domosdoshme, që sulmet ajrore të kenë efekt.

Por, zoti Erdogan thotë se nuk ka pajtueshmëri, derisa Shtetet e Bashkuara të paraqesin më tepër mbështetje për kryengritësit, që përpiqen ta përmbysin zotin Assad dhe të krijojnë një zonë të ndaluar të fluturimeve ndaj forcave ajrore të Sirisë, dhe po ashtu, një zonë neturale përgjatë kufirit të Turqisë, për t’i strehuar mijëra refugjatë sirianë, që janë larguar nga luftimet.

Askush nuk mund ta mohojë brutalitetin e zotit Assad në luftën civile, por zoti Obama ka të drejtë kur i reziston involvimit në atë luftë dhe ka insistuar që fokusi duhet të jetë në degradimin e ISIS-it, e jo të shkoj kundër liderit të Sirisë.

Rreziku më i madh në vendimin e tij për ta sulmuar ISIS-in në Siri nga ajri, është se mund ta vë Amerikën në terren të rrëshqitshëm për në luftë, të cilën ai, nga ana tjetër, ka synuar ta evitojë.

Sjellja e zotit Erdogan vështirë se është e denjë për një aleat të NATO-s. Ai ishte aq i etur për ta përmbysur zotin Assad, sa që i ka mundësuar ISIS-it dhe militantëve të tjerë, që nga Turqia tu shkojnë luftëtarët, armatimi dhe të ardhura, shkruan e përditshmja, New York Times.

Nëse zoti Erdogan refuzon ta mbrojë Kobanin dhe seriozisht t’i bashkohet luftës kundër Shtetit Islamik, ai më tutje do ta ndihmojë grupin mizor terrorist dhe do të krijoj jostabilitet afatgjatë helmues në kufirin e tij.

Ai, po ashtu, e ka komplikuar edhe pozicionin e tij në Turqi.

Hezitimi i tij për t’i ndihmuar kurdët në Siri, e ka zemëruar pakicën kurde në Turqi, e cila ka ndërmarrë protesta kundër qeverisë së Turqisë, ditën e mërkurë, me ç’rast raportohet se janë vrarë 21 njerëz.

Zoti Erdogan frikësohet se duke e mbrojtur Kobanin, do t’i forcoj kurdët e Sirisë, të cilët faktikisht kanë fituar kontroll ndaj shumë hapësirave kufitare, derisa ata synojnë më tepër autonomi, sikur vëllezërit e tyre kurdë në Irak.

Por, nëse Kobani bie, zemërimi i kurdëve padyshim se do të shtohet.

Amerikanët janë përpjekur fuqishëm për t’i zgjidhur dallimet me zotin Erdogan, gjatë ditëve të fundit, por këto hendeqe të thella e kërcënojnë koalicionin prej më se 50 vendeve, që është krijuar nga Shtetet e Bashkuara.

Ndoshta dikush pyetet se përse ky mospajtim i madh nuk është zgjidhur para se zoti Obama të ndërmerrte aksion në Siri, shkruan në fund të editorialit të vet e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG