Ndërlidhjet

Debat e deklarata me kritika të ndërsjella VLAN - PDK


Kryeministri në largim dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, pas një mbledhjeje të kryesisë se partisë, ku siç tha ai është diskutuar për hapat e ardhshëm të ndërtimit të institucioneve, ka reaguar lidhur me seancën e mbajtur të enjten në Kuvendi e Kosovës nga blloku pas zgjedhor Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Thaçi ka deklaruar se deputetët e opozitës, kanë keqpërdorur hapësirat e Kuvendit duke vepruar përtej autorizimeve të tyre si deputetë.

“Në fakt ajo nuk ka qenë seancë ka qenë një takim që është keqpërdorur hapësira e kuvendit të Republikës se Kosovës është përtej autorizimeve që mund të kenë individët e tillë. Ka qenë një takim jo legal, jo zyrtar jo kushtetues, jo ligjor dhe pa asnjë vlerë dhe asnjë validitet”, tha Thaçi

Thaçi u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që të ulen dhe të bëjnë një marrëveshje për formimin e institucioneve të Kosovës në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe respektimit të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Deputetët e koalicionit pas zgjedhor nga LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë mbledhur të enjten në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për daljen e vendit nga kriza institucionale.

Në Kuvend nuk ka qenë i pranishëm asnjë deputet nga PDK-ja dhe as shumica e përfaqësuesve të pakicave kombëtare në Kosovë.

Seancat konstituive i kryeson deputeti më i moshuar në sallë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Seancën e sotme të thirrur me nënshkrimet e 62 ligjvënësve në cilësinë e deputetit më të ri e ka udhëhequr Teuta Rugova nga LDK-ja.

Pas përfundimit të seancës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu është i nominuar nga blloku si kandidat për kryeministër tha se nga seanca që u mbajnë u dhe një mesazh se shumica parlamentare e ka zgjidhjen.

“Produkt i kësaj seance është deklarata e përbashkët e deputetëve me konfirmimin se zgjidhja është në kuvend. Pra e kemi zgjidhjen e kemi shumicën parlamentare dhe kemi mundur me zgjedh kryetarin dhe kryesin, do të thotë i kemi votat”, tha Haradinaj.

Deputetja e Kuvendi të Kosovës, Vjosa Osmani nga LDK-ja, që ka folur në emër të grupit parlamentar, ka kritikuar deputetët e PDK-së, duke thënë se ata janë përgjegjësit kryesor për krijimin e kësaj gjendjeje.

“Ata që po frikësohen që sot të dalin në Kuvend para qytetarëve, ata që çdo ditë e kanë gojën plotë fjalë për demokraci, kanë treguar se sa demokraci e sa zhvillim i kanë sjellë vendit dhe për këtë mund të pyeten me mijëra familje në Kosovë, që sot jetojnë në varfëri ekstreme”, ka deklaruar Osmani.

Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul në qëndrimin e tyre, se i vetmi vend ku do të diskutohet për zgjidhjen e ngërçit politik, është Kuvendi i Kosovës, e jo takimet joformale diku tjetër.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë debatit në kuvend ka drejtuar shumë akuzash dhe kritika në drejtim të Partisë Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj.

Ai tha se PDK-se si pakicë po pengon themelimin e institucioneve nga ana e shumicës.

“Deputetët e PDK-së e lëshonin sallën edhe kur ishin pozitë e lëre tash që po bëhen opozitë. Nuk ka asgjë të papritur këtu. Në mandatin e kaluar, qeveria vazhdimisht e ka luftuar Kuvendin e konstituar; tash ajo po do që ta vonojë konstituimin e Kuvendit. Te shteti i kapur, Kuvendi është i panevojshëm dhe ai prish punë. Në shtetin e kapur, ka qeveri pa kuvend, ka pushtet pa shtet. Prandaj, konstituimi i Kuvendit të Kosovës është vështirësuar", tha mes tjerash Kurti.

Seanca përfundoi me një deklaratë të përbashkët të ligjvënësve të pranishëm, dhe me thirrje "për t'u respektuar vullneti i shumicës".

Seanca konstituive ka nisur më 17 korrik dhe që prej atëherë, i gjithë procesi zgjedhor është ngarkuar me një numër lëndësh të dërguara në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për interpretim se kush ka të drejtë të njihet si grupi më i madh parlamentar, kush ka të drejtë të emërojë kryetarin e Kuvendit dhe kush ka të drejtë të formojë qeverinë.

Zgjedhjet e 8 qershorit kanë përfunduar me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, por nuk e ka numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvend për të formuar institucionet.

XS
SM
MD
LG