Ndërlidhjet

logo-print

Një i vdekur në Maqedoni me simptome të Ebolës


Shkupi, Maqedoni

Shkupi, Maqedoni

Autoritetet shëndetësore në Maqedoni nuk kanë konfirmuar ende nëse shtetasi britanik, që ka ndërruar jetë në klinikën infektive të Shkupit, ka vdekur si pasojë e Ebolës.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se i ndjeri ka pasur simptome të ngjashme me Ebolën, si gjakderdhje të brendshme, temperaturë të lartë dhe vjellje, por, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, është ende heret për të konstatuar nëse vdekja ka ardhur si pasojë e infektimit me virusin Ebola.

"Pas analizave laboratorike dhe autopsisë së trupit të të ndjerit do të dalim me të dhëna mbi pasojat e vdekjes”, kanë deklaruar nga klinika infektive në Shkup.

Më herët, agjencia e lajmeve Reuters ka njoftuar se një shtetas britanik ka vdekur në Maqedoni nga virusi Ebola.

I njëjti burim ka thënë se viktima ka arritur në Shkup nga Britania me datën 2 tetor dhe se është dërguar në spital sot (e enjte), në orën 3 të pasdites dhe ka vdekur disa orë më vonë.

Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka folur në kushte anonimiteti, i ka thënë Reutersit se edhe një tjetër qytetar britanik ka treguar simptome të virusit vdekjeprurës.

Zyrtari ka thënë se të dy ata kanë qëndruar në një hotel në Shkup dhe se stafi i këtij hoteli dhe klientët e tjerë janë vendosur tashmë në karantinë, deri në përfundimin e analizave të domosdoshme.

Zyra e Ministrisë së Jashtme në Maqedoni ka thënë po ashtu se është në dijeni për raportet dhe se po i shqyrton ato urgjentisht.

Jovanka Kostovska, nga Komisioni për Sëmundje Infektive i Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup, ka thënë se mostrat e viktimës janë dërguar për analiza në Gjermani.

Autoritetet nuk e kanë identifikuar viktimën, duke thënë vetëm se ka lindur në vitin 1956.

Ebola, e cila përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit nga personi i infektuar, ka vrarë afro 4,000 njerëz në Afrikën perëndimore qysh në muajin mars. Në mesin e viktimave janë edhe mbi 200 punëtorë shëndetësorë.

Këtë javë, autoritetet në Madrid kanë njoftuar se një infermiere spanjolle është infektuar po ashtu me virusin Ebola.

Infermierja Teresa Romero besohet se është personi i pari që ka marrë virusin jashtë Afrikës perëndimore. Ajo ka trajtuar dy misionarë spanjollë që kanë vdekur nga Ebola në Madrid. Gjendja e saj shëndetësore raportohet se është pëkeqësuar.

XS
SM
MD
LG