Ndërlidhjet

Rusi: Duma kërkon hetime kundër Ukrainës për “krime lufte”


Pamje nga punimet e Parlamentit të Rusisë
Pamje nga punimet e Parlamentit të Rusisë

Duma shtetërore ruse ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, që të zhvilloj hetime lidhur me ato që e ka përshkruar si “krime të luftës”, të kryera gjatë konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.

Gjatë një votimi pothuajse unanim, Duma, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë, sot e ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkohet nga Kombet e Bashkuara, OSBEja dhe Këshilli i Evropës, që të zhvillojnë hetime për atë që rusët thonë se janë varreza masive të zbuluara afër qytetit Donjeck, që është nën kontroll të kryengritësve.

Muajin e kaluar, separatistët prorurë në Donjeck thanë se i kishin zbuluar dy varreza me afro 400 trupa të pajetë, për të cilat ata thanë se ishin viktima të operacioneve ushtarake të forccave të qeverisë në Kiev.

Zyrtarët e Ukrainës i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se asnjëherë nuk e kishin nën kontroll këtë terren dhe se pretendimet nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Në muajin shtator, mediat ruse e kanë cituar një raport, duke iu referuar një eksperti të OSBE-së, duke thënë se qindra trupa të pajetë janë zhvarrosur nga varrezat masive në rajonin e Donjeckut, por OSBE-ja tha se personi i cituar kurrrë nuk ka punuar për OSBE-në.

Kombet e Bashkuara thonë se së paku 3,660 njerëz janë vrarë prej muajit prill, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG