Ndërlidhjet

Zgjidhja e vetme e nyjës politike, konsensusi


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Çështja e ngërçit politik ka prekur dimensionet ekzistenciale të institucioneve të vendit dhe funksionimit të tyre kushtetues, prandaj partitë politike, pavarësisht pozicionimeve të kundërta të betonuara, duhet të kërkojnë zgjidhje për ta tejkaluar atë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Faktorët relevant ndërkombëtarë tashmë disa herë kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të përzihen për të zgjidhur ngërçin politik në vend.

Në këtë frymë ka qenë edhe porosia e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Tracey Jacobson, e cila gjatë një vizite në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka theksuar se ambasada që ajo drejton, nuk do të ndërhyjë në krizën politike në Kosovë.

“Zgjidhja është te zyrtarët e zgjedhur, të cilët janë zgjedhur me votat qytetarëve të Kosovës. Unë shpresoj se do të gjejnë zgjidhje. Ne e përkrahim plotësisht procesin e konsultimeve që është duke bërë presidentja”, ka theksuar ambasadorja Jacobson.

Analisti i çështjeve politike, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se janë dy baza ku duhet tentuar që të gjendet zgjidhja për ngërçin politik. Siç thotë ai, së pari, partitë politike në Kuvend duhet ta shtjerrin debatin dhe të provojnë që me konsensus ta gjejnë një mundësi për ta tejkaluar ngërçin politik, por edhe ta përmbyllin fazën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Nëse ky opsion nuk funksionon, sipas Korenicës, presidentja e Republikës së Kosovës, mbetet hapësira e vetme ku të gjithë liderët politikë do të duhej të gjenin një konsensus të përbashkët.

“Sipas një platforme politike, që duhet ofruar nga vetë presidentja, mbi mënyrën se si të përmbyllet cikli i konstituimit të Kuvendit, sepse kjo është pika prej ku fillon tërë bllokada institucionale në vend. Pra, në këtë mes, asnjë parti politike nuk mund të refuzojë që të jetë pjesë e një aranzhimi që presidentja duhet ta bëjë për t’u koordinuar për të shkuar tutje”.

“Blloku VLAN, besoj që nuk ka pse t’i frikësohet shkuarjes në një takim të tillë, sepse kurrsesi shkuarja në një takim të tillë, nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga pozicionet e tyre sa i takon krijimit të qeverisë”, konsideron Korenica.

Ndryshe, Shpend Kursani vlerëson se ngërçi politik është pasojë e betonimit të të pozicionimeve të partive politike, në njërën anë, dhe pamundësisë së tyre që të dalin përtej asaj që përcakton Kushtetuta e vendit.

“Në qoftë se ndiqet Kushtetuta dhe vullneti i lirë i deputetëve, atëherë do të vazhdojmë me ngërçin. Kështu që, o duhet të gjendet një zgjidhje jashtë kësaj kushtetuese, përkohësisht, o duhet të cenohet liria e deputetit të Kosovës dhe që përsëri, në njëfarë mënyre, paraqet shkelje kushtetuese. Një cenim i tillë mund të vijë nga jashtë dhe atëherë duhet që PDK të lëshojë pe ose disa parti të bllokut apo deputetë të bllokut të lëshojnë pe dhe ta gjejnë një zgjidhje me PDK-në”, vlerëson Kursani.

Por, analisti Korenica e sheh edhe një rrugë tjetër si zgjidhje, në rast se nuk funksionojnë dy opsionet që ai përmendi më herët. Sipas tij, Kuvendit i Kosovës, mund t’i drejtohet Komisionit të Venedikut.

Besojmë që ka një mekanizëm ndërkombëtar. Meqë, në fazën aktuale, kjo çështje më nuk mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, atëherë Kuvendi i Kosovës, nëse të gjitha partitë pajtohen, ka mundësi që t’i drejtohet me disa pyetje dhe me një kërkesë për të dhënë opinion, Komisionit të Venedikut”.

"Kosova, tashmë si shtet anëtar, ka të drejtën të kërkojë nga ky komision që ata të ofrojnë një listë të standardeve të krahasueshme ndërkombëtare, që tregojnë se si duhet të dilet institucionalisht nga kriza ku ne jemi sot”, thekson Korenica.

Megjithatë, shton Korenica, partitë politike duhet të arrijnë konsensus që cilido që të jetë mendimi i këtij komisioni, ai të respektohet tërësisht.

Përkujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 8 qershore dhe deri më tash institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të formohen tërësisht.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila është fituese e zgjedhjeve, nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve për të krijuar institucionet, përballë bllokut të partive, i cili është krijuar pas zgjedhjeve, e që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, e që më pas, me një marrëveshje i është bashkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Të dyja palët, pretendojnë postin e krye-parlamentarit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG