Ndërlidhjet

Dogana dhe ATK-ja shpëtojnë arkën e shtetit


Ilustrim©Shutterstock

Ilustrim©Shutterstock

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, dy institucione këto nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit, po tregojnë performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave.

Nga 1 miliard e 590 milionë euro, si të hyra të përgjithshme, sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2014, këto dy institucione duhet të mbledhin mbi 1 miliard euro.

Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë rreth 930 milionë euro. Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deri më 9 tetor, Dogana ka mbledhur 655.4 milionë euro dhe ka një rritje prej afër 3 për qind për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ne kemi rritje afër 20 milionë euro të të hyrave, nëse krahasohen të dy periudhat 2013- 2014. Ndërsa kemi rënie te sasia e importit. onkretisht, sasia e përgjithshme e importit ka rënie prej gjashtë për qind të peshës, por performanca e mirë e të hyrave ka bërë që Dogana të ketë të hyra të mjaftueshme për buxhetin e Kosovës”, thotë Stavileci.

Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës për këtë vit duhet të mbledhë 367 milionë euro.

Shuma e mjeteve të realizuara për periudhën janar-shtator 2014 është 321 milionë euro, kurse nëntë për qind është nën parashikimet e ekzekutivit, thotë Valentina Sefa – Bytyçi, zëdhënëse në këtë administratë.

Në total janë 321 milionë euro, ose 222 milionë euro tatime dhe 99 milionë kontribute, që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi një rritje prej tre për qind më shumë, ndërsa krahasuar me projeksionet e vitit aktual, jemi nëntë për qind nën plan”.

“Megjithatë, Administrata Tatimore e Kosovës e konsideron si trend pozitiv, pavarësisht trendëve aktual ekonomik, si rezultat i rritjes së përmbushjeve obligimeve tatimore dhe deklarimin e tatim paguesve”, thekson Bytyçi-Sefa.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit e konsiderojnë praktikë jo të mirë mbushjen e buxhetit vetëm nga këto dy institucione.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto institucione, për të mbushur arkën e shtetit, po “godasin” bizneset.

Për këtë, thotë ai, tashmë ka ankesa të shumta të bizneseve në adresë të Administratës Tatimore të Kosovës.

“Prandaj, janë të pamëshirshëm ndaj bizneseve, shpesh bien në kundërshtim me ligjet, por duke mbrojtur të drejtën që mos të bien në kundërshtim me zbatuesit e urdhrave. Kjo do të thotë se bizneset e Kosovës, detyrimisht, duhet t’u nënshtrohen kërkesave të Doganave, edhe pse ato kërkesa janë kundër Kodit Doganor, dhe vjen deri te rritja e bazës doganore të produktit të gatshëm, të lëndës së parë, të teknologjisë vetëm e vetëm që të arrijnë përmbushjen e kërkesave të buxhetit dhe parashikimet e tyre”, vlerëson Shahini.

Ndryshe, mbledhja e të hyrave nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës është kundërshtuar edhe ekspertë të çështjeve ekonomike, pasi që, siç thonë ata, kjo mënyrë paraqet joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG