Ndërlidhjet

Dita Ndërkombëtare e Vajzave, nga Kombet e Bashkuara sivjet shënohet me temën "përfundimi i ciklit të dhunës ndaj vajzave".

OKB vë në pah disa shtylla që do të mund të ndihmonin për përfundimin e këtij cikli, si shkollimi, shëndeti dhe sistemi i mbështetjes ekonomike dhe sociale.

Kosovën kjo ditë e gjen duke u përballur me përpjekjet për të fuqizuar rolin e femrës në shoqëri, në të gjitha sferat.

Edhe pse në mungesë të të dhënave që flasin saktë për përqindjen e vajzave nën moshë madhore, të cilat përballen me çfarëdolloj dhune, autoritetet kosovare thonë se dhuna ndaj femrës në shoqërinë kosovare është evidente.

Sakibe Doli, udhëheqëse e "Shtëpisë së Sigurt" në Gjakovë, tregon se në këtë qendër janë disa raste të vajzave të mitura që u janë nënshtruar dhunës.

Doli thekson se integrimi i tyre i pavarur është i pamundur, për arsyen se janë nën moshën madhore.

"Integrimi i pavarur i tyre është i pamundur, sepse janë në moshë minore, por i ngrisim profesionalisht, sepse shumicën e kohës ato e lënë shkollë në gjysmë, dhe te ne mësojnë gjuhën angleze, kursin e kompjuterëve. Ndërsa jashtë strehimores e mësojnë edhe floktarinë. Kështu mundohemi t'i fuqizojmë pak", bën të ditur ajo për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse shkollimi shihet si "derë e artë" për të shmangur nënshtrimin e vajzave ndaj dhunës, nga Ministria e Arsimit thonë se numri më i madh i personave që nuk dinë shkrim e lexim janë të gjinisë femërore, sidomos nga viset rurale dhe përfaqësues të komunitet rom.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të premten, gjatë një ceremonie në Universitetin Amerikan të Kosovës, duke shënuar këtë ditë, vuri në pah ngecjen e shkollimit, duke theksuar që kjo dukuri pamundëson zhvillimin e vajzave.

"Shkollimi i vajzave për arsye të ndryshme, dhe posaçërisht për shkak të botëkuptimit për to, në pjesë të ndryshme të vendit ka ngecur, duke e pamundësuar zhvillimin e tyre dhe duke i privuar ato nga pjesëmarrja e barabartë në ndërtimin e shoqërisë dhe të shtetit", tha presidentja Jahjaga.

Që të ndalohet ky cikël i dhunës, Sakibe Doli thotë se shoqëria dhe institucionet e Kosovës kanë nevojë të koordinojnë përpjekjet me familjet, dhe veçanërisht me të rinjtë...

"Ne duhet t'i vetëdijesojmë këta të rijnë, nëpër shkolla, të punojmë sa më shumë me ta, sepse vetëm me të rinjtë ne mund ta tejkalojmë këtë problematikë. Sepse ka raste që prindi mendon se vajza ka gabuar diçka, dhe mund të ushtrojë dhunë apo ta largojë nga shtëpia. Kjo nuk është zgjidhje, pra ne na duhet të punojmë me familjet, por veçanërisht me të rinjtë", shprehet Doli.

Pesëmbëdhjetë vjeçarja nga Prishtina, Viona Fonda, tregon sa është e vetëdijshme për këtë dukuri, edhe pse asaj nuk i ka rastisur që të ketë përvojë nga afër me një gjë të tillë.

"Nuk kam hasur në ndonjë rast të veçantë. Në shkollë na mësojmë si të mbrohemi, si ta lajmërojmë rastin në ndonjë organizatë dhe mos ta heshtim. Mendoj që kjo është gjëja më e padrejtë që mund t'u bëhet një vajze", thekson ajo.

Më 19 dhjetor të vitit 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 66/170, për ta shpallur 11 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, për t’u njohur me të drejtat dhe sfidat unike të cilat i kanë vajzat në mbarë botën.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, me rastin e kësaj dite, ka publikuar një mesazh.

"Për ta përfunduar ciklin e dhunës ndaj vajzave adoleshente, ne duhet të shkojmë përtej ngritjes së vetëdijes dhe të marrim masa për të pajisur vajzat me njohuritë, aftësitë, burimet dhe fuqinë për të përcaktuar rrugën e tyre në jetë", ka porositur zoti Ban.

XS
SM
MD
LG