Ndërlidhjet

Institucionet publike shëndetësore prej pasluftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.

Zyrtarë të lartë shëndetësor thonë se lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi. Dhe, si rezultat i kësaj, është bërë klasifikimi i listës në tri kategori. Lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të duhej të përmbushej 100 për qind, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barna, prej të cilave u varet jeta, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

Por, madje as kjo listë asnjëherë nuk arriti të përmbushet 100 për qind.

Për këtë problematikë në këtë material të zgjeruar të Radios Evropa e Lirë flasin vetë qytetarët, të cilët janë përballur me mungesë barnash, qoftë ata vetë, apo gjatë trajtimit të ndonjë familjari të tyre brenda institucioneve publike shëndetësore.

Pacientët i blejnë vetë barnat

Ekonomisti Lulzim Bajrami, 50-vjeçar, thotë se mungesa e barnave në institucione publike shëndetësore është evidente dhe se sa herë që ka pasur rastin të shkojë në spital, qoftë për vete apo për ndonjë familjar, barnat i ka blerë vetë, në mungesë të tyre.

“E di që ka mungesa, por se sa nuk e di. Zakonisht sa herë që kam pasur rastin të shkoj në spital, i kam blerë vetë barnat. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë barna dhe t’i marr pa i paguar”, tregon Lulzimi.

Njëjtë shprehet edhe pensionisti Haxhi Morina:

“Janë të shtrenjta barnat. Unë jam pensionist. Bashkëshorten e kam qe 16 vjet të palëvizshme. Krejt i blej vetë. Me 100 euro pension. Njëjtë sikur unë që jam pensionist, si për dikë që e ka rrogën 3 mijë euro. Shteti është dashur shteti të mendojë për ne”.

Edhe Arbnore Krasniqi flet për mungesën e barnave në institucione publike shëndetësore, si një problematikë kronike:

Zakonisht kur shkon në spital, menjëherë të dërgojnë nëpër barnatore, për të blerë barna. Dihet që mungesa e barnave nëpër spitale është e dukshme, nëpër institucione publike shëndetësore”.

Buxheti që "përmbush" listën esenciale me 60 për qind

Problemin nga mungesa e barnave e pranojnë edhe vetë zyrtarë në qendrën terciare, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si e vetmja qendër referente për gjithë Kosovën. Zëdhënësi i këtij institucioni, Shpend Fazliu bën të ditur se shkaku i buxhetit të limituar, lista asnjëherë nuk është përmbushur më shumë se 60 për qind.

“Një problematikë, me të cilën janë përballur gjitha institucionet shëndetësore, duke përfshirë edhe QKUK-në, prej përfundimit të luftës e këtej, është furnizimi stabil me barna, ku asnjëherë nuk e ka kaluar mbi 60 për qind të furnizimit. Kjo për faktin se buxheti aktual që posedon QKUK-ja e pamundësojnë furnizimin 100 për qind me barna. Bazuar në buxhetin aktual që kemi, furnizimi me barna nuk mund të bëhet mbi 60 për qind”.

“Natyrisht, ajo çka ka bërë QKUK-ja dhe përgjegjës të farmacisë, janë munduar që artikujt elementarë të mos mungojnë, si në Qendrën Emergjente, po ashtu edhe në salla të operacioneve, apo mjekimin intensiv, por ka raste kur ka mungesa të aty-këtushme edhe në këto vende”, deklaron Fazliu.

Por, ministri në largim i Shëndetësisë, Ferid Agani, muaj më parë kishte deklaruar se furnizimi me barna është përmirësuar dhe se mungojnë barna dhe material shpenzues që janë shumë të lira, por brenda klinikave ekzistojnë barnat që janë shumë të shtrenjta.

Ai kishte thënë se është ndërruar struktura e buxhetit, duke e decentralizuar atë dhe duke ua lënë në dispozicion institucioneve shëndetësore, në mënyrë që nga data 1 janar e vitit 2014, ata do të të furnizohen drejtpërdrejt nga operatorët, me të cilët kontratat i ka nënshkruar Ministria e Shëndetësisë.

”Më nuk do të ketë kurrfarë arsyetimi pse nuk ka gaza, maska, kapela, gjilpëra, që krejt të mblidhen kushtojnë 5 euro, derisa brenda klinikave, si në Institutin Onkologjik, ka ilaçe që kushtojnë 1,500 euro”.

Shpesh është në spikamë Instituti Onkologjik që nuk po arrin t‘i mbulojë gjitha kërkesat. Normalisht që nuk arrin me këtë buxhet, por vitin e kaluar vetëm në Institutin Onkologjik janë shpenzuar 7 milionë euro vetëm për citostatikë”, kishte thënë Agani.

Procedurat vonojnë furnizimin me barna

Ngushtë me furnizim ndërlidhen edhe procedurat e prokurimit, e që sipas zëdhënësit Shpend Fazliu, nuk u përshtaten specifikave të furnizimit me barna, e që kjo shpeshherë bën që të ketë vonesa në furnizim.

“Ajo çka duhet cekur janë edhe procedurat e prokurimit që shpeshherë nuk u përgjigjen specifikave në shëndetësi, pasi që ne jemi të obliguar si institucion ta respektojmë Ligjin e prokurimit, derisa në anën tjetër procedurat zgjaten e stërzgjaten dhe e vonojnë furnizimin me barna”.

Por, ne gjithherë jemi munduar që përmes procedurave emergjente të reagojmë dhe të paktën të sigurohen artikujt e domosdoshëm. Kërkojmë mirëkuptim edhe nga ana e pacientëve, meqë shpeshherë ata detyrohen vetë t’i blejnë barnat dhe materialin shpenzues, por pa rritje të buxhetit do të vazhdojë të ketë mungesa”, shpjegon Fazliu.

Ndërkaq, neurokirurgu Haxhi Avdyli, për Radion Evropa e Lirë ka dhënë detajet kur edhe në sallat e operacionit ka mungesë evidente të barnave esenciale, e që ato kompensohen nga vetë pacientët.

“Në sallat e operacionit ka gjithmonë mungesa të barnave, e kjo si pasojë e buxhetit të ulët, prandaj gjithmonë ka ngecje në plotësimin e listës esenciale. Unë mendoj se pa rritjen 100 për qind të buxhetit, është shumë e vështirë të furnizohemi me barna. Por, pacientët do të vuajnë dhe do të dëmtojnë buxhetin e tyre familjar”, pohon Avdyli.

Keqpërdorimet rrisin koston e barnave

Ndërkaq, për kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Xhemajl Selmani, një prej arsyeve pse asnjëherë nuk është përmbushur lista esenciale me barna, përpos buxhetit të limituar, janë edhe keqpërdorimet nga vetë zyrtarët e niveleve të ndryshme.

”Ne përballemi çdo ditë me vështirësi dhe këto pasoja i bart populli, por edhe ne. Edhe në aspektin buxhetor vlera është e vogël, por sikur mos të kishin qenë keqpërdorimet, shërbimet do të funksiononin më mirë”.

“Pas luftës kemi funksionuar shumë më mirë se sot, me buxhet edhe më të vogël. Me keqardhje mund të konstatoj se keqpërdoruesit në nivele të ndryshme e rrisin koston e barnave, materialit shpenzues, dhe derisa t’i kemi keqpërdoruesit në sistem, do të përballemi me probleme të këtyre natyrave”
.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG