Ndërlidhjet

Zgjedhjet s’do ta ndryshojnë situatën në Bosnje


Sarajeva gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit ...
Sarajeva gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit ...

Boshnjakët votojnë në zgjedhjet e përgjithshme më 12 tetor, por pak kush pret që ato të sjellin ndryshime të vërteta. Kjo, pavarësisht trazirave të dhunshme në muajin shkurt, të ndezura nga korrupsioni dhe varfëria, si dhe pakënaqësisë me reagimin e autoriteteve ndaj përmbytjeve katastrofike që kanë goditur vendin në muajin maj.

Këtë javë, për herë të parë, raporti për zgjerimin e Bashkimit Evropian ka vënë Bosnjën në fund të rreshtit të vendeve ballkanike, që synojnë anëtarësimin në BE. Një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e ndarjeve etnike, që rrjedhin nga lufta dhe vazhdojnë të bllokojnë reformat e nevojshme për të lëvizur përpara.

Sponsorët perëndimorë u kanë bërë thirrje boshnjakëve që të zgjidhin liderë, të cilët do t’i nxjerrin nga problemet.

Agjencia për Zhvillim e Shteteve të Bashkuara USAID ka zhvilluar një fushatë, duke ftuar boshnjakët “të votojnë ose të vuajnë”, ndërsa kreu i këtij misioni në Bosnjë ka shkruar një blog të ashpër, duke akuzuar autoritetet qeverisëse për paaftësi.

Megjithatë, si edhe më parë, analistët paralajmërojnë se befasitë kanë pak gjasa të ndodhin.

“Performanca e dobët e qeverisë duhet të ndikojë në popullaritetin e partive në pushtet, por ajo nuk ka ende efekt të konsiderueshëm në rezultatin e zgjedhjeve, sepse, në shumë raste, partitë opozitare kanë dështuar të dëshmojnë se janë një alternativë më e mirë”, thotë analisti politik në Sarajevë, Sreçko Latal.

Rreth 3.3 milionë votues në njërin nga vendet më të varfra të Evropës do të votojnë për të zgjedhur kandidatët për më shumë se 500 poste, në një sistem të ndërlikuar dhe të kushtueshëm të qeverisë, i cili është ngritur nën patronatin perëndimor, pas konfliktit të viteve 1992-1995.

Marrëveshja e Dejtonit më 1995, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, ka krijuar dy entitete të veçanta – Federatën Myslimano-Kroate dhe Republika Sërpskën – secila me presidentin e vet, parlamentin, policinë dhe organet e tjera.

Në krye të kësaj ekziston edhe një administratë qendrore dhe një presidencë trepalëshe. Kjo është një formë e qeverisjes që ushqen përçarjet etnike, ryshfetin dhe nepotizmin.

Këtë vit, së paku, gara zgjedhore mund të duket më interesante.

Në Republikën Sërpska, zgjedhjet vënë presidentin Milorad Dodik dhe një koalicion të dominuar nga partia e tij, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, kundër bllokut të udhëhequr nga Partia Demokratike Serbe, e cila me në krye të dyshuarin për krime lufte, Radovan Karaxhiq, ka udhëhequr serbët e Bosnjës gjatë luftës.

Dodik, dikur reformator pro-perëndimor, i cili është kthyer në nacionalist të zjarrtë, ndjek agjendën e ndarjes nga Bosnja dhe krenohet me lidhjet e tij të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Partia Demokratike Serbe i kundërshton bisedimet për ndarje, duke thënë se janë ndjenja të lira separatiste.

Sipas sondazheve, gara do të jetë tejet e ngushtë midis këtyre dy blloqeve, në të gjitha nivelet.

Në anën tjetër, Bashkimi Demokratik Kroat pritet të vazhdojë dominimin në mesin e kroatëve, që numerikisht janë grupi më i vogël etnik dhe po ashtu të pakënaqur me, siç thonë, pozitën inferiore ndaj boshnjakëve myslimanë në federatën e tyre.

Në mesin e boshnjakëve myslimanë, të cilët në përgjithësi duan qeveri më të fortë qendrore në kurriz të niveleve më të ulëta, gara kryesore do të jetë midis Partisë Social-Demokrate dhe Veprimit Demokratik.

Partia Social-Demokrate ka udhëhequr koalicionin qeveritar që përfshin edhe Veprimin Demokratik, por të dyja këto subjekte kanë qenë vazhdimisht në grindje.

Cilado që të jetë vota e qytetarëve, për komunitetin ndërkombëtar do të vazhdojë të ketë punë, thotë analist Latal, sidomos duke pasur parasysh se qasja e re e BE-së, e nënvizuar këtë verë, përfshin reforma jashtëzakonisht të vështira ekonomike dhe sociale, të cilat qeveritë e mëparshme i kanë shmangur qëllimisht.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë afër dhe i angazhuar në Bosnje, nëse do që të parandalojë daljen nga kontrolli të krizës aktuale politike, ekonomike dhe sociale, e cila më pas do të bëhej çështje e sigurisë për rajonin dhe gjithë Evropën”, thotë Latal.(v.tela)

XS
SM
MD
LG