Ndërlidhjet

Të mos harrohen pronat jashtë Kosovës


Minatorët në Trepçë. Sipas dokumenteve, vetëm Trepça ka 31 prona jashtë Kosovës.

Minatorët në Trepçë. Sipas dokumenteve, vetëm Trepça ka 31 prona jashtë Kosovës.

Autoritetet kompetente në Kosovë nuk po angazhohen sa duhet për mundësinë e kthimit e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në jashtë territorit të Kosovës, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit, përderisa zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit pohojnë angazhimin në këtë drejtim.

Kosova, në këtë drejtim, është treguar joaktive, thotë Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke shtuar se në të kaluarën ka ndodhur ndarja e pasurisë në mes Republikave të ish –Jugosllavisë dhe në të njëjtën kohë, autoritetet kompetente në Kosovë nuk kanë ngritur zërin që të jenë pjesë në këtë ndarje të pasurisë.

“Kjo i takon një kapitulli që për momentin është i mbyllur, por në të ardhmen dashtë e pa dashtë, Kosova duhet të përgatitet për argumentim të kësaj pasurie dhe kur bëhet fjalë për këtë, është momenti i fundit kur duhet të adresohen kërkesat e institucioneve tona për rikthimin e pasurisë së Kosovë, qoftë në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri apo kudo”, konsideron Gërxhaliu.

Sipas dokumenteve zyrtare, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi - 42, 15 në Bosnje e Hercegovinë, 6 në Kroaci, 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ndërkaq, pohojnë se janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë që ky proces të zgjidhet në bazë të ligjeve në fuqi.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thekson se për këtë çështje ka pasur bisedime me disa zyrtarë të shteteve ku gjenden pronat e Kosovës.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit bashkë me përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve tjera shtetërore, janë angazhuar në vizita dhe biseda direkte me shtetet fqinje. Për këtë kanë krijuar grupe punuese për të evidentuar asetet e mbetura të kësaj çështjeje, që është kthimi i tyre te pronari i vërtetë - Shteti i Kosovës, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë Kaloshi për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Safet Gërxhaliu, thekson se autoritetet kompetente nuk duhet ta kalojnë në heshtje këtë proces, por duhet të krijojnë transparencë dhe të ketë argumente për këtë çështje.

Ai konsideron se ky problem duhet të ngrihet edhe në bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Është identifikuar një vlerë shumë e madhe, ose një numër shumë i madh i këtyre pasurive dhe në qoftë se e tërë kjo pasuri shndërrohet në vlerë financiare, e ka një vlerë të rëndësishme. Prandaj, nuk është diçka që duhet harruar, nuk është diçka që duhet neglizhuar, por mbi të gjitha nuk është diçka që përmes një procesi të hirtë ose të mjegulluar të zgjidhet. Duhet të ketë transparencë, por mbi të gjitha duhet të ketë argumentim që të ngrihet në instancat më të larta që ky problem të zgjidhet”, vlerëson Gërxhaliu.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 31 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e të tjera.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG