Ndërlidhjet

Maqedonia ngec me reformat në gjyqësor


Ilustrim
Ilustrim

Pushteti gjyqësor në Maqedoni është ndër më të kritikuarit në Raportin e progresit të Komisionit Evropian, por ky fakt, sipas ekspertëve juridik, tentohet të fshihet nga qeveria në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe “spektaklin e fundit”, siç thonë, të arrestimit të gjykatësve gjoja për të luftuar korrupsionin.

Osman Kadriu, ekspert juridik dhe ligjërues i së Drejtës kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se reformat, jo që kanë ngecur, por kemi kthim prapa në përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Politika zyrtare krejt gabimisht i interpreton kualifikimet apo vërejtjet që i jep Komisioni Evropian për situatën në gjyqësor. Këta thonë se në gjyqësor kemi reforma, kemi të arritura, por mjerisht jo që nuk kemi reforma, por problemet në gjyqësor janë shqetësuese për stabilitetin e vendit. Vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me mosshqyrtimin e lëndëve në afatin e duhur, mosrespektimin e së drejtës për gjykim të drejtë dhe korrupsionin, i cili vazhdon të lulëzojë në gjykatat e Maqedonisë”, thotë Kadriu.

Ai thekson se Maqedonia, në aspektin ligjor, ka miratuar disa akte në përputhje me rregullativën evropiane, por fatkeqësisht ato asnjëherë nuk kanë filluar të zbatohet në praktikë, gjë që konfirmon vlerësimet se institucionet vetëm se deklarativisht angazhohen për reforma në gjyqësor.

Edhe Margarita Caca - Nikollovska, eksperte juridike dhe ish-gjykatëse në Gjykatën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Strasburg, thotë se problemet janë evidente dhe se Raporti i progresit në mënyrë shumë të qartë ka evidentuar ngecjet, ndërsa veçon ato që kanë të bëjnë me mospërfundimin në afatin e caktuar të lëndëve gjyqësore.

“Kontestet e gjata gjyqësore janë rezultat i më shumë elementeve dhe është fakt se ekziston edhe qasje selektive në shpejtësinë e zgjidhjes së lëndëve gjyqësore. Fakt është se ka edhe lëshime objektive në pjesën e dorëzimit të akteve te palët, për çka gjykatësit kanë alarmuar shumë herë. Megjithatë, është fakt se i gjithë ky është obligim i shtetit, i cili duhet të mundësojë zgjidhjen e shpejtë të procedurave".

"Ka shumë lëndë të pazgjidhura edhe për Gjykatën Supreme, e cila duhet të vendosë lidhur me stërzgjatjen e procedurave në Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë. Ngecjet janë evidente dhe kritikat e raportit janë më se reale”, konsideron Nikollovska.

Në ditën e publikimit Raportit të progresit institucionet ndërmorën një aksion të gjerë për arrestimin e gjykatësve të përfshirë në skandale.

Sipas Kadriut, pas këtij aksioni është më se e qartë se qëndron tendenca e pushtetit për të treguar se gjoja po e lufton krimin në organet gjyqësore.

Ai thotë se problemet janë të thella dhe aksionet e tilla janë vetëm se edhe një spektakël i lexuar në shërbim të pushtetit.

“Me siguri se pushteti aktual mendon që nëpërmjet këtij aksioni ta tërheqë vëmendjen e opinionit dhe të Evropës se ja, vërtet, po bën reforma, por kurrsesi se nuk është ajo që duhet të jetë. Nëse analizohet puna nëpër gjykata, mund të konstatohet se sa devijime e shkelje shumë më të rënda ka në punën e tyre se sa këto që janë konstatuar lidhur me mosrealizimin e lëndëve për kundërvajtje që kanë qenë të plotfuqishme”, thekson Kadriu.

Qeveria, nga ana tjetër, ka theksuar se do të vazhdojë me reformat në përputhje me Raportin e progresit, ndërsa përmend nismën e fundit për ndryshime kushtetuese, përfshirë edhe pjesën e gjyqësorit.

Largimin e ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor e vlerëson si hap pozitiv në drejtim të rritjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

XS
SM
MD
LG