Ndërlidhjet

logo-print

Çfarë i bën militantët e Shtetit Islamik të frikshëm?


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Nga përdorimi i makinave bomba kundër armiqve deri te therja e robërve të luftës, militantët e Shtetit Islamik kanë treguar se janë brutalë në fushën e betejës.

Bombat vetëvrasëse i përdorin shumë grupe militante, nga Al Kaida deri te talibanët, por askush me frekuencë si Shteti Islamik.

“Ata kanë bollëk të luftëtarëve, të gatshëm për të kryer vetëvrasje”, thotë Riad Kahwaji, nga Instituti për Lindjen e Afërt në Bejrut.

Luftëtarët e Shtetit Islamik i përdorin makinat vetëvrasëse si raketa të udhëzuara dhe shpërthimet masive i pasojnë me sulme.

“Janë sikur aeroplanët e koalicionit ndërkombëtar që lansojnë raketa të zgjuara, por dallimi është se ato janë më të sakta dhe elementi shokues është më i madh – ato mbjellin frikë në zemrat e kundërshtarëve”, thekson Kahwaji.

Po, ku i merr Shteti Islamik të gjithë ata luftëtarë të gatshëm për të kryer vetëvrasje?

Kahwaji thotë se rekrutët e rinj përgatiten mirë nga tutorët e tyre, në bazë të ideologjisë dhe gjendjes së tyre psikologjike, dhe pastaj përdoren në përputhje me rrethanat.

“Duket se kanë sistemin e tyre, me të cilin vlerësojnë luftëtarët dhe shohin se cili është më ekstremist dhe më i gatshëm për të kryer vetëvrasje. Ata përgatiten për misionet e tyre dhe përdoren kur e shohin të nevojshme”, thotë Kahwaji.

Përveç shpërthimeve vetëvrasëse, militantët e Shtetit Islamik përpiqen t'i tmerrojnë armiqtë duke kultivuar një imazh të brutalitetit ekstrem.

Bota është tronditur nga vrasja e pengjeve me prerje koke, por armiqtë e militantëve në fushëbetejë janë subjekt i një tjetër taktike: ekzekutimi i të burgosurve të luftës para syve të tyre.

“Ata kanë therur një numër të të burgosurve të luftës para kundërshtarëve, vetëm për të shkaktuar frikë”, shton Kahwaji.

Këta të vrarë para betejave përfshijnë të burgosur të luftës nga ushtria e Sirisë, por edhe nga Ushtria e Lirë Siriane, një grup opozitar në Siri, i udhëhequr nga opozita laike.

Në të njëjtën kohë, Shteti Islamik ka postuar video të ekzekutimeve të të burgosurve në internet.

Në qershor, ai ka publikuar online një video të ekzekutimit të qindra ushtarëve irakianë në Tikrit, ndërsa në gusht janë shfaqur pamje të vrasjes së 120 ushtarëve sirianë në provincën Raka.

Luftëtarët e Shtetit Islamik përdorin frikën edhe kundër civilëve. Kur ata marrin zonat që u përkasin komuniteteve josunite, ata rrëmbejnë dhe qëllojnë burrat e moshës ushtarake. Në rastin e komunitetit Yazidi, militantët rrëmbejnë dhe shesin gratë e reja.

Frika e trajtimit të tillë motivon civilët të evakuohen në masë.

Forca e Shtetit Islamik është po ashtu shumë e lëvizshme. Ajo përdor kamionë për të shpërndarë luftëtarë në grupe të vogla dhe shpejtësi të madhe. Kjo e bën të vështirë për komunitetin ndërkombëtar për t’i shkaktuar dëme të mëdha grupit nga ajri.

Analistët thonë se, pavarësisht faktit se Shteti Islamik ka marrë tanke nga ushtritë siriane dhe irakiane, ai nuk i vendos rregullisht ato në fushë të betejës, ku armiqtë kanë superioritetin ajror.

“Shteti Islamik përdor tanket vetëm për propagandë. Nuk i përdor në fusha të betejës, sepse vetëm një bombë nga ajri do ta shkatërronte tankun”, thotë Fabrice Balanche, ekspert për Sirinë në Qendrën franceze të Kërkimeve Gremmo, në Lion.

Ai po ashtu thotë se Shteti Islamik futet thellë në mesin e popullatës civile në qytetet që pushton. Kjo e bën të vështirë për të kryer sulme ajrore kundr tij, pa rrezikuar civilët.

“Nëse bombardoni shtëpitë, do të përballeni me kundërshtim të fortë nga civilët, të cilët do të thonë se kjo është një fushatë e re kundër Islamit dhe se amerikanët po vrasin njerëz si izraelitët në Gaza. Mund të humbasim shumë shpejt luftën psikologjike kundër Shtetit Islamik”, thotë Balanche.

Shteti Islamik thuhet se numëron mbi 30,000 luftëtarë. Shumica e luftëtarëve të rinj kanë ardhur nga grupet e tjera militante. Por, grupi ekstremist është po ashtu në gjendje të tërheqë mijëra xhihadistë nga e gjithë bota, përfshirë Evropën.

“Bëhet fjalë për qindra, mund të rriten në mijëra dhe kjo mund të jetë rrjedhja më e madhe e luftëtarëve të huaj myslimanë në një betejë jashtë vendit, në historinë moderne”, thotë Shashank Joshi, nga Instituti i Shërbimeve të Bashkuara, me seli në Londër.

Sipas tij, një arsye përse shumë luftëtarë shkojnë, është se Siria ndodhet shumë pranë Evropës dhe është lehtë e arritshme përmes Turqisë. Xhihadet e tjera në Afganistan, Somali ose Jemen kanë qenë më të largëta.

Gjithashtu thuhet se Shteti Islamik ka mësuar nga gabimet e militantëve në të kaluarën.

Një nga këto gabime ka qenë konkurrimi direkt për pushtet me fiset sunite, gjë që u ka mundësuar forcave amerikane në Irak që të financojnë dhe armatosin një rebelim fisnor – Zgjimin Sunit – i cili ka rrëzuar me sukses islamistët në vitin 2006.

Sot, udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, krijon lidhje me liderët fisnorë. Dhe, ai e bën këtë në një mënyrë tradicionale arabe.

“Për shembull, ai kërkon nga kreu fisnor që të japë vajzën për njërin nga emirët e Shtetit Islamik dhe kështu ndodh martesa midis Shtetit Islamik dhe fisit. Ai po ashtu kërkon nga kreu fisnor që të lejojë djalin e tij të luftojë për Shtetin Islamik dhe kështu krijohet lidhja e gjakut midis Shtetit Islamik dhe të gjitha fiseve në zonë. Nëse fisi refuzon, ai i vret të gjithë”, thotë Balanche.(v.tela)

XS
SM
MD
LG