Ndërlidhjet

Bosnjë: Nacionalistët udhëheqin në garën për presidencë


Simpatizuesit nga Partia e Aksionit Demokratik...
Simpatizuesit nga Partia e Aksionit Demokratik...

Rezultatet e pjesshme zyrtare të zgjedhjeve për presidencën tripalëshe në Bosnjë Hercegovinë, tregojnë se nacionalistët po udhëheqin.

Autoritetet zgjedhore thanë se përfaqësuesi i myslimanëve, Bakir Izetbegoviq, ai i kroatëve, Dragan Çoviq, dhe përfaqësuesja e serbëve, Zhelka Cvijanoviq, po udhëheqin në zgjedhjet për presidencën shtetërore të përbërë prej tre anëtarësh. Por, pas numërimit të më tepër se 90% të votave, Zhelka Cvijanoviq (Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur), thuhet se ka humbur kundër Mlladen Ivaniqit (Partia Demokratike Serbe).

Shefi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Stjepan Mikiq, tha se vlerësimet e para janë bërë pasi janë numëruar 76.5 për qind e fletëvotimeve.

Bakir Izetbegoviq, i biri i liderit të ndjerë të kohës së luftës në Bosnjë, Alija Izetbegoviq, ka fituar më shumë se 33 për qind të votave.

Rival i tij ishte magnati i mediave, Fahrudin Radoniçiq.

Izetbegoviq ka zhvilluar fushatë të mbështetur në kërkesën për shtet të fortë të bashkuar; Dragan Çoviq, është angazhuar për krijimin e entitetit kroat në Bosnjë; ndërsa Zhelka Cvijanoviq, anëtare e bllokut serb, kërkon ndarjen e Bosnjës.

Bakir Izetbegoviq dhe Dragan Çoviq, tashmë e kanë shpallur fitoren,

Partia e Aksionit Demokratik, tha Izetbegoviq, do të jetë forcë udhëheqëse në koalicionet e ardhshme.

“Në bazë të 75 për qind të votave të numëruara, pra të 3/4 të atyre që dolën për të votuar, unë jam në epërsi me 225 mijë vota. Kandidati tjetër ka më pak se 55 mijë dhe hendeku ndërmjet neve po shtohet. Prandaj, unë mund ta shpall fitoren në garën për anëtar në presidencën tripalëshe. Mund të themi se si shtet dhe Federatë myslimano-kroate, Partia e Aksionit Demokratik do të jetë forcë udhëheqëse, themel i të gjitha koalicioneve të ardhshme dhe i proceseve”, tha Izetbegoviq.

Ky vend ballkanik, të dielën mbajti zgjedhje të ndërlikuara parlamentare dhe presidenciale për 518 poste politike.

Zgjedhjet janë parë si kthesë kryesore për dalje nga rruga pa krye, në të cilën gjendet ky vend.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte vetëm 54.1 për qind prej 3.3 milionë votuesve të regjistruar. Kjo pjesëmarrje është më e ulët në krahasim me zgjedhjet e vitit 2010, kur votuan afro 56 për qind.

Krahas votimeve për presidencën tripalëshe të Bosnjë Hercegovinës, është votuar edhe për liderët dhe ligjvënësit e dy entiteteve të Bosnjës, pra për Republikën Serbe në Bosnjë dhe Federatën myslimano-kroate.

Në këto zgjedhje ishin afro 8 mijë kandidatë të 65 partive, 24 koalicioneve dhe listave të pavarura, në dy entitetet autonome të Bosnjë Hercegovinës.

Këto zgjedhje u mbajtën pas demonstratave të dhunshme në muajin shkurt, në të cilat është dënuar korrupsioni dhe varfëria, dhe pas pakënaqësisë së gjerë me reagimin e autoriteteve pas vërshimeve të mëdha, që përfshinë Bosnjën në muajin maj.

Po ashtu, konsiderohet se ndarjet etnike, që e kanë zanafillën nga lufta e vitit 1992-95, vazhdojnë t’i bllokojnë reformat.

Bosnjë Hercegovina është njëri nga vendet më të varfra në Evropë, me papunësi në shkallën 44 për qind, ndërsa kjo shkallë ndër të rinjtë është edhe më e lartë.

Rroga mesatare është 525 dollarë amerikanë.

Shpresat për integrim në Bashkimin Evropian janë shkatërruar nga dështimet për ndërmarrjen e reformave.

Në garën për president të Republikës Serbe, janë dy kandidatë, Millorad Dodig, president i deritashëm, nga Aleanca Social-Demokrate e Pavarur, dhe Ognjen Tadiq, nga Partia Demokratike Serbe.

Dikur reformator properëndimor, Dodik është shndërruar në lider nacionalist të pasionuar. Ai angazhohet në agjendën e ndarjes dhe i thekson lidhjet e tij të afërta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Partia Demokratike Serbe, e kundërshton agjendën e ndarjes dhe akuzon administratën e Dodikut për korrupsion.

Sistemi aktual në Bosnjë Hercegovinë ka dalë nga aranzhimet kushtetuese, që janë bërë në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën ka përfunduar lufta, që ka zgjatur prej vitit 1992 e deri në vitin 1995.

Sistemi me decentralizim të lartë dhe të shtrenjtë, shumë shpesh e ka paralizuar procesin e vendosjes politike, duke e bllokuar zhvillimin ekonomik dhe përpjekjet për krijim të vendeve të reja të punës. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG