Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita, luftë me veten jo me kundërshtarët


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

Edhe Kongresi i fundit i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë nxori në pah përçarjet e thella brenda kësaj partie.

Derisa të dielën në Tetovë, në kuadër të kongresit të PDSH-së, është rizgjedhur Menduh Thaçi për kryetar të partisë, po të njëjtën ditë gjysma e anëtarëve të saj, në shenjë pakënaqësie nga zhvillimet e fundit në parti janë takuar në Saraj të Shkupit në kuadër të nismës për reformimin e partisë drejtuar nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, Ziadin Sela.

Analistët politikë Arsim Sinani dhe Alajdin Demiri theksojnë se përderisa opozita shqiptare luftën e bën brenda vetes dhe jo kundrejt oponentëve politikë, të cilët janë në pushtet, në formë të drejtpërdrejtë dëmtohet dhe realizimi i interesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Problemi i moskonsolidimit të opozitës shqiptare në Maqedoni ka disa karakteristika, ajo kryesore është se PDSH-ja nuk ka kapacitete, as intelektuale, e as njerëzore dhe as një plan të qartë për të qenë opozitë e mirëfilltë. Dhe, e dyta është ajo se lidershipi i kësaj partie është i gatshëm të bëjë kompromise me këdo vetëm e vetëm të ruajë interesat personale të një grupimi të ngushtë në krye të kësaj partie”, shprehet Sinani, profesor universitar.

Ai shton se në vazhdimësi, nga kreu i partisë janë goditur të gjithë ata, të cilët kanë qenë të suksesshëm në profesionet e tyre.

Nga ana tjetër, Alajdin Demiri, analist politik, thekson se lideri Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, është arsyeja kryesore e moskonsolidimit të opozitës shqiptare.

“Është lideri i PDSH-së, ai që e pengon partinë të jetë opozitë e mirëfilltë. Ai si duket vepron me hipotekë dhe hipotekat janë të shumëfishta. Partia Demokratike Shqiptare mbahet peng nga lideri i saj dhe në këtë gjendje nuk mund ta luajë rolin e një opozite të mirëfilltë".

"Përshtypja e përgjithshme është se ai kryetar nuk dëshiron të konsolidohet opozita, por dëshiron të merret vetëm me veten e saj dhe të krijojë raste të konflikteve mes shqiptarëve, qoftë brenda partisë së tij ose edhe në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim”, konsideron Demiri.

Ai thekson se situata në partinë opozitare dukshëm kohën e fundit reflekton dhe në partinë shqiptare, e cila është në pushtet.

“Konform sjelljeve të opozitës, sillet edhe mazhoranca në Maqedoni. Nëse e analizojmë situatën, gjatë këtyre viteve të fundit më e dobët se partia shqiptare në pushtet, BDI, nuk ka qenë asnjë parti, por në situatë falë anatemave të opozitës, e cila është impotente, partia shqiptare në pushtet arrin t`i fitojë zgjedhjet.Në këtë kontekst më duhet të theksoj se çështja shqiptare tërësisht është anashkaluar, sot aspak nuk bisedohet për problemet e shqiptarëve në Maqedoni, edhe pse të dy partitë shqiptare, njëra e dalë nga lufta dhe tjetra në kohë krize pikënisje të formimit të tyre e kanë pasur pikërisht çështjen shqiptare".

"Si duket menaxhimi i tyre është jashtë partive dhe ato paraqiten dëgjuese të mira të porosive ashtu siç dikush dëshiron. Këtu nuk dua të aludoj se bëhet fjalë për shërbime të ndryshme sekrete, por thjesht bëhet fjalë për qendra të ndryshme, të cilat në këtë fazë, dëshirojnë të jetë e menaxhuar çështja shqiptare po në këtë mënyrë, impotencë totale”, shton Demiri.

Edhe Arsim Sinani konsideron se partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, është e interesuar të mos ketë opozitë, përkatësisht të ketë një opozitë të dobët siç është PDSH-ja, që ajo të vazhdojë qeverisjen në kushte komode.

Duke komentuar nismën për reformimin e PDSH-së, të udhëhequr nga kryetari i Strugës, Ziadin Sela, Sinani thotë se kjo nismë mund të rezultojë e suksesshme vetëm nëse largon nga radhët e saj figurat e vjetra politike, të cilat mbahen peng për çështje të caktuara.

“Unë çështjen e opozitës e shoh, jo si çështje emrash, por si çështje procesi, nuk mendoj se janë emrat, ata që mund të zgjidhin procesin, po besoj se është procesi ai i cili do të lindë personalitetin e duhur dhe i cili besoj se do të arrijë të konsolidojë një opozitë, që përfundimisht pas aq humbjesh do të mund të shkojë para drejt fitores”, thekson Sinani.

Për një konsolidimin të opozitës paraprakisht nevojitet që krerët e partisë, të çlirohen nga frustrimet personale, theksojnë analistët politikë në Maqedoni, duke shtuar se me rëndësi të veçantë është dhe promovimi i një strategjie të qartë, e cila do të ofrojë alternativë për një të ardhme më të mirë dhe jo kritika, të cilat janë të fokusuara në aspektin personal.

XS
SM
MD
LG