Ndërlidhjet

“Kuqezinjtë” s’kanë bileta, “Plisat” edhe me plan B


Zhvillimi i ndeshjes së futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2016, në Francë, e cila pritet më 14 tetor në Beograd, do të zhvillohet pa praninë e tifozëve të kombëtares shqiptare dhe kjo ka nxituar pakënaqësi te tifozët e kësaj kombëtareje në Kosovë.

Federata e Futbollit e Serbisë, fillimisht kishte ndarë rreth 1 mijë bileta për tifozët që do ta shoqëronin Federatën Shqiptare të Futbollit. Por, duke e cilësuar këtë takim “me rrezik të lartë”, Federata Serbe e Futbollit kishte kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që, t’i dërgojë emrat dhe të dhënat e tifozëve që do ta shoqëronin kombëtaren shqiptare në Beograd, kusht të cilin kjo e fundit nuk e pranoi.

Pas kërkesës së Federatës Serbe të Futbollit në Federatën Evropiane të këtij sporti – UEFA, që tifozët shqiptarë të mos jenë të pranishëm në ndeshjen në Beograd, UEFA i ka rekomanduar Federatës shqiptare që të mos i marrë tifozët e vet në Beograd.

Federata Shqiptare e Futbollit, më 11 shtator, përmes një komunikatë ka bërë të ditur se në Beograd do të udhëtojë pa tifozët shqiptarë.

“Kombëtarja shqiptare e futbollit do të udhëtojë për në Serbi pa tifozët e saj. Në bazë të rekomandimeve të ardhura nga UEFA, në një letër të mbërritur të shtunën në FSHF, është vendosur që për ndeshjen e 14 tetorit në Beograd të udhëtohet pa tifozë. Në të njëjtën mënyrë, do të veprojë edhe Federata Serbe, me tifozët e saj në Elbasan, të cilët gjithashtu s'do të jenë të pranishëm”, thuhet në komunikatën e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Tifozët shqiptarë nga Kosova, të cilët kishin planifikuar të shkojnë në Beograd për ta parë takimin e Serbi - Shqipëri, janë shprehur të zhgënjyer me, siç e quajnë ata, bllokimin që u është bërë nga shteti serb.

Flakëron Abazi, përfaqësues i tifozëve të quajtur “Kuq e zi”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e quan racizëm, vendimin për mospraninë e tifozëve shqiptarë në këtë ndeshje.

“Nëse na ndalohet, ne pa bileta nuk mund të shkojmë atje, sepse është edhe një nga kriteret që kufiri nuk mund të kalohet pa bileta. Kemi kërkuar që kjo të jetë reciproke dhe as tifozët e Serbisë të mos mund të vijnë në ndeshjen (e kthimit) në Elbasan".

"Ky është një racizëm i dorës së parë, por është diçka që e kemi pritur prej Serbisë. Është vendim politik dhe tregon gjithçka se çfarë shteti është akoma dhe çfarë politikash ka Serbia. Ne, thjesht, kemi dashur të shkojmë ashtu siç kemi shkuar në të gjitha shtetet e Evropës. Edhe në Holandë, e edhe në Zvicër, kemi qenë shembull i tifozërive kombëtare, edhe si numër, por nuk kemi bërë asnjëherë probleme. Ne, thjesht, kemi dashur të shkojmë ta përkrahim kombëtaren”, thotë Abazi.

Albert Kastrati, përfaqësues i tifozëve “Plisat” nga Prishtina, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë faktin se tifozëve shqiptarë u është ndaluar të shkojnë në takimin Serbi – Shqipëri, një numër i “plisave” tashmë kanë udhëtuar për në Beograd, për të përkrahur kombëtaren shqiptare të futbollit.

“Disa ‘Plisa’ tashmë kanë arritur në Beograd, sa për informatë, e ne tjerët nisemi nesër. Kemi planifikuar fillimisht të shkojmë 300 vetë, por tash do të shkojmë vetëm grupi i parë, që jemi më të njohur dhe kaherë tifoz. Do të shkojmë afër 100 vetë. Ata, (pala serbe) kanë njoftuar se nuk bën të hyjmë andej (në Serbi), por, dje kanë hyrë disa tanët dhe ata tashmë janë në Beograd. Ne po shkojmë, kështu, nga pak e nga pak. Por, nesër, ata që kemi mbetur, do të nisemi në grup”, bën të ditur Kastrati.

Ai shton se planifikojnë të hyjnë në Serbi, edhe në qoftë se ndalohen në kufi:

“Nëse na ndalojnë, është plani B, të cilin nuk mund t’ua tregojmë”.

Ndryshe, Gani Kosumi, redaktor përgjegjës i sportit në Radio Kosovë, transmetues ky publik në vend, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi që ndeshja në Beograd, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, të luhet pa tifozë shqiptarë, është vendim i çuditshëm.

“Ky vendim është i çuditshëm, aq më parë kur kihet parasysh, që për 5 për qind të shikuesve të sigurohen biletat edhe për skuadrat udhëtuese, që zhvillojnë ndeshjet për këto gara. Mendoj se nuk është veprim i drejtë i Federatës Serbe të Futbollit".

"Shteti është ai që duhet kujdesur për sigurinë e atyre që shkojnë t’i përcjellin ndeshjet. Në këtë drejtim, Serbia ka rënë në provim. Unë mendoj se është politike e ditës, sepse luftërat kanë mbaruar dhe tash duhet gjetur format që njerëzit të bashkohen dhe jo të largohen dhe të bëhen gjëra të tilla”, thekson Kosumi.

Ndryshe, ndeshja e kthimit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, po ashtu, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin evropian të futbollit, Francë 2016, do të luhet më 8 tetor 2015, në Elbasan, në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG