Ndërlidhjet

Problemet për sigurimin e lëndës së parë


Prodhuesit nga Kosova përveç problemeve të ambientit të rëndë të të bërit biznes, hasin në vështirësi edhe për sigurimin e lëndës së parë.

Kështu pohojnë vetë udhëheqës të kompanive prodhuese, sidomos të teknologjisë ushqimore, sipas të cilëve në raste të shumta "detyrohen" që lëndën e parë të sigurojnë nga tregjet e jashtme.

Për disa nga këto lëndë duhet të paguajnë taksa doganore, kurse për disa janë të liruara në bazë të marrëveshjes për Tregti të Lirë më Evropën juglindore, CEFTA, por prapë duhet të paguhet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Gjendja jo e kënaqshme në tregun e furnizimeve me lëndë të parë nga ndërmarrjet prodhuese është paraqitur gjatë këtij viti, thotë Barlet Namoni, pronar i kompanisë “ASK Foods” në Gjilan, kompani kjo që merret më përpunimin e pemëve dhe perimeve.

Kjo kompani prodhon lëngje dhe produkte të specave.

Namoni për Radion Evropa e Lirë, tregon se mundohen që ekskluzivisht lëndën e parë të sigurojnë nga fermerët vendor pasi edhe çmimi i produktit përkatës del në treg më lirë.

“Realisht jemi duke u furnizuar nga fermerët tanë. Mirëpo siç duket nuk do të ketë sasi të mjaftueshme dhe do të detyrohemi që të realizojmë ndonjë import, nga Maqedonia apo Serbia pasi nuk ka ndonjë alternativë tjetër. Ne mundohemi që ekskluzivisht lëndën e parë të marrin nga fermerët tanë", thotë Namoni.

Edhe Kompania “Frutex” nga Suhareka, që konsiderohet një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, lëndën e parë për produktet e prodhuara në Kosovë e siguron nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, për Radion Evropa e Lirë, tregon se më lëndë të parë furnizohen nga Gjermania, Polonia dhe vendet e rajonit siç janë Maqedonia dhe pak nga Serbia.

“Lëndën e parë të cilën e marrim nga jashtë është repromaterial, siç është ambalazhi, pastaj sheqerin, që kryesisht vjen nga rajoni. Dhe lënda e parë siç janë koncentratet për prodhimin e pijeve. Pagesa është e seleksionuar për një pjesë të lëndës se paguajmë doganë, kurse një pjesë është e liruar nga Dogana”, shprehet Palushi.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se prodhuesit ballafaqohen më probleme të shumta deri në momentin e plasimit të produktit të tyre në treg.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se më qëllim të kualitet të çmimit më të lirë, prodhuesit kosovarë janë duke importuar lëndën e parë nga vendet rajonit, të Bashkimit Evropian e deri te vendet e Azizë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

"Por, mbetet financimi i lëndës së parë, një nga problemet më të mëdha. Për arsye se sasitë e mëdha që duhet të porositen dhe të importohen nga vendet e ndryshme të larta kërkojnë financim drejtpërdrejt dhe ajo duhet të jetë shumë e lartë, kurse kostoja është shumë e lartë. Dhe prodhuesit vendor, shpesh kanë probleme për të siguruar mjete financiare çoftë edhe garancione bankare", thekson Shahini.

Sidoqoftë sigurimi i lëndës së parë nga prodhuesit nga vende të ndryshme të botës, rrit koston e çmimit të produktit në treg për shkak të shpenzimeve të transportit dhe obligimeve doganore.

XS
SM
MD
LG