Ndërlidhjet

logo-print

Rënia e çmimit të naftës - problemet dhe përparësitë


Ilustrim(©Shutterstock)

Ilustrim(©Shutterstock)

Bota duket se po lahet në naftë. Çmimi i naftës së papërpunuar, që në muajin qershor ka qenë 110 dollarë për fuçi, ka rënë në 88 dollarë më 13 tetor.

Kjo do të thotë rënie për 20 për qind, por edhe problem serioz ekonomik për vendet, të ardhurat e të cilave varen shumë nga eksportet e tyre të naftës.

Një arsye për këtë është rritja e prodhimit të naftës nga burimet aligjirore në Shtetet e Bashkuara. Falë kësaj, SHBA-ja këtë vit ka tejkaluar Arabinë Saudite si prodhuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë.

Aryseja e dytë e rënies së çmimeve është kërkesa e dobët. Blerësit hezitojnë për shkak të rritjes së dobët ekonomike në gjithë botën.

Vendet e goditura më së shumti nga rënia e çmimeve të naftës do të jenë ato, të cilat mbështeten në çmime të larta të naftës për të mbështetur rritjen e tyre ekonomike.

Një nga to është Rusia, ku ekspertët thonë se qeveria duhet të ketë një çmim prej 104 dollarësh për fuçi, për të balancuar buxhetin e saj. Aktualisht, nafta ruse shitet për rreth 92 dollarë për fuçi.

Sipas softuerit financiar në Shtetet e Bashkuara, Bloomberg, një çmim mesatar i naftës prej 90 dollarësh për fuçi, do t’i mundësonte Rusisë deficit buxhetor prej 1.2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

Alexei Kudrin, i cili ka qenë ministër i Financave i Rusisë nga viti 2000 deri më 2011, i ka thënë të përditshmes amerikane "The Los Angeles Times" se “në një afat të shkurtër, çmimi në rënie i naftës do të jetë një goditje e madhe për ekonominë”.

Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar tashmë se Moska duhet të zvogëlojë planet e shpenzimeve.

Ministri i Fianancave, Anton Siluanov, ka thënë më 7 tetor se për shkak të sanksioneve perëndimore dhe rënies së çmimit të naftës, Kremlini nuk do të jetë në gjendje të përballojë një nismë të re për shpenzimin e 576 miliardë dollarëve në mbrojtje, në gjashtë vjetët e ardhshëm.

Rënia e çmimit të naftës po ashtu ngre pyetje për Moskën se si do të sigurojë kapitalin e shumëduhur për bankat e saj shtetërore dhe kompanitë, të cilat janë përjashtuar nga tregjet financiare perëndimore. Shitjet e naftës përbëjnë gjysmën e të ardhurave të Qeverisë ruse.

Një tjetër vend që do të ndjejë shtrëngesë nga çmimet e ulëta të naftës është Irani, i cili duhet të fitojë 140 dollarë për fuçi për të balancuar buxhetin e tij.

Teherani ka qenë në gjendje të rrisë shitjet e naftës në bazë të një marrëveshjeje të përkohshme për pezullimin e sanksioneve ndërkombëtare. Si rezultat, ekonomia e tij ka treguar shenja të jetës. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje për 1.5 për qind këtë vit dhe 2.3 për qind vitin e ardhshëm.

Por, kjo rimëkëmbje, e cila varet nga të ardhurat e naftës, mund të dobësohet për shkak të rënies së çmimit.

Një vend tjetër që do ta ndjejë këtë barrë është edhe Iraku, i cili ka nevojë për një çmim prej 106 dollarësh për fuçi. Bagdadi është aktualisht nën presion të madh për të shpenzuar më shumë para në ushtri, pasi militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll rreth një të tretën e vendit.

Por, një vend që prodhon naftë dhe nuk duket i shqetësuar nga rënia e çmimit është Arabia Saudite. Asaj i duhet një çmim prej vetëm 80 dollarësh për fuçi për të balancuar buxhetin e saj. Me rezervat e mëdha që ka, ajo mund ta përballojë shitjen me çmim të ulët për kohë të pacaktuar.

Edhe pse rënia e çmimeve do të dëmtojë vendet që varen nga nafta, ajo do të ndihmojë rritjen e ekonomisë globale. Sipas Ekonomisë së Kapitalit, një konsulencë financiare me qendër në Londër, rënia për 10 dollarë e çmimit të naftës së papërpunuar mund të sjellë 0.5 për qind rritje në bruto prodhimin e brendshëm botëror.

Këtu do të përfitojnë vendet si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India, të cilat tani janë duke përjetuar rritje pozitive ekonomike. Çmimi më i ulët i naftës do të ndihmojë edhe Eurozonën që të mos bie sërish në recesion.(v.tela)

XS
SM
MD
LG