Ndërlidhjet

Konflikti me Rusinë arrin edhe dyqanet e Ukrainës


Konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë ka arritur edhe në dyqanet ushqimore në Kiev, ku mallrat e importuara nga Rusia do të shënohen shpejt me etiketa të veçanta.

Legjislatura e qytetit të Kievit ka miratuar ligjin, i cili urdhëron dyqanet të zbatojnë masën e re. Iniciuesi i ligjit, deputeti Ruslan Andriyko, ka thënë se masa ka për qëllim të paralajmërojë konsumatorët që të mos mbështesin “agresionin” me blerjen e prodhimeve ruse.

“Çdo monedhë që shkon në Rusi, përdoret nga presidenti rus, Vladimir Putin, për armët që vrasin ushtarët tanë”, ka thënë Andriyko për Radion Evropa e Lirë.

Sipas rregullave të reja, prodhimet ruse do të vendosen po ashtu në rafte të veçanta.

Andriyko ka thënë se pronarët e dyqaneve, me shumicë dërrmuese, e kanë mbështetur masën, e cila, sipas tij, nuk do të dëmtojë ekonominë e Ukrainës.

“Ky vendim nuk do të ketë ndonjë barrë për buxhetin, nuk do të rezultojë me humbje për shitësit. Teknikisht, mund të zbatohet për një ditë, vetëm duke shënuar prodhimet e bëra në territorin rus me një flamur të vogël apo shenjë të ngjashme”, ka thënë Andriyko.

Dyqaneve, megjithatë, do t’iu jepet një muaj kohë për të bërë ndryshimet.

Pas periudhës së përshtatjes do të bëhen kontrolle për t’u siguruar se shitësit kanë vepruar në përputhje me rregullat.

Andriyko ka thënë se dyqanet që nuk i respektojnë këto rregulla nuk do të gjobiten, porse autoritetet e qytetit do të insistojnë fuqishëm mbi nevojën për të ndjekur rekomandimet e reja.

“Jam i sigurt se kjo masë do të zbatohet pa sforcim”, ka thënë ai.

Ideja, në fakt, nuk është e re.

Hapa të ngjashëm janë ndërmarrë edhe nga administratat lokale në Lviv, Ivano Frankivsk dhe Çerkasi.

Shumë dyqane në këto tre qytete të Ukrainë tashmë përdorin etiketa për të identifikuar prodhimet ruse, që radhiten nga kosi deri te çamçakezët, çokollatat apo pelenat për fëmijë.

Etiketat janë të ndryshme: të shkruara me dorë “Rusia” ose të shtypura me flamurin rus.

Në Lviv, madje, aktivistët e Lëvizjes për Bojkotin Ekonomik kanë inspektuar vazhdimisht dyqanet për të nxitur pronarët ngurrues dhe për të informuar konsumatorët për rrezikun e supozuar nga blerja e prodhimeve ruse.

Disa ukrainas, si psikologu social, Viktor Pushkar, kanë shprehur shqetësim në lidhje me masat e reja dhe kanë paralajmëruar për rreziqet e propagandës.

“Ne e kemi pasur këtë përvojë nga fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990, kur propaganda është bërë nga njerëz joprofesionistë. Sipas mendimit tim, ata, në vend se të ushqenin ndjenjat pro-ukrainase, kanë diskredituar nocionin e nacionalizmit”, ka thënë Pushkar.

Por, deri më tash, nisma nuk ka hasur në asnjë rezistencë të vërtetë publike.

“Shumica e prodhimeve nuk kanë barkode ruse. Njerëzit, edhe ashtu, nuk e kanë zakon t’i lexojnë ata numra të vegjël. Andaj, do të jetë shumë e dobishme nëse prodhimet shënohen”, thotë Yekaterina Chapura, aktiviste në Kiev.

Përveç shënimit të mallrave ruse, rregullat e reja u rekomandojnë edhe televizioneve dhe radio-stacioneve në Ukrainë që të transmetojnë këngë patriotike.

Ato po ashtu u bëjnë thirrje shkollave që të përfshijnë mësime të reja “për agresionin kundër Ukrainës - një manifestim i fashizmit dhe shovinizmit”.(v.tela)

XS
SM
MD
LG