Ndërlidhjet

logo-print

Ndërrim pronarësh për përvetësim pronash


Ilustrim

Ilustrim

Një hulumtim në vitin 2012 i Radios Evropa e Lirë, rreth procesit të dhënies më koncesion të disa hektarëve tokë në Komunën e Lipjanit, kishte vënë në pah disa parregullsi.

Koncesionimi nënkupton shfrytëzimin e tokës për 99 vjet në bazë të një projekti, të cilin e harton një kompani, kurse komuna e përzgjedh kandidatin më të mirë, duke respektuar disa kritere të caktuara.

Që nga viti 2006 deri në vitin 2009 kjo komunë ka dhënë 37 hektarë tokë me koncesion.

Pas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj komune kishin kuptuar se disa parcelave u ishte ndërruar padrejtësisht pronari dhe siç patën deklaruar publikisht kishin ndërprerë punimet.

Autoritetet komunale atëbotë kishin marrë zotime mbi vete për t’i rregulluar parregullsitë, por edhe dy vjet më vonë, situata mbetet pothuajse e njëjtë.

Radio Evropa e Lirë i kthehet sërish subjektit të raportit të mëhershëm: një parcelë prej, siç thuhet në kontratë, ½ e 3.81 hektarë toke në Konjuh të Lipjanit, me numrin kadastral P-71409036-00164 – 4 që gjendet në magjistralen Prishtinë- Ferizaj.

Në tenderin e shpallur në vitin 2009, përfituese të shfrytëzimit të kësaj parcele kanë qenë dy kompani, “Punëtori” dhe "B-Ingjinieringu" me pronar Luan Prenku, respektivisht Besim Smajli.

Në marrëveshjen për dhënie të shfrytëzim të patundshmërisë, të këtyre kompanive, të cilën e posedon Radio Evropa e Lirë, thuhet se marrëveshja është nënshkruar 17.10.2009.

Ndërkaq, si shfrytëzues i sipërfaqes prej rreth 4 hektarësh tokë, në fletën poseduese ka figuruar emri i Universitetit të Shkencave Mjekësore "Rezonanca”, kishte thënë vetë udhëheqësi i saj Ramadan Idrizaj.

Por, pavarësisht deklarimeve të ish udhëheqësve komunal, se prona është kthyer në pronësi të komunës, në zyrën Kadastrale të kësaj komune, figurojnë emrat e kompanive fituese, por me emra të tjerë pronarësh, Atije Idrizaj dhe Arian Idrizaj.

I gjithë ky ndryshim është bërë një akt vendim të komunës se Lipjanit. Për këtë flet vetë nënshkruesi i këtij akt vendimi, ish kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

“Të gjitha vendimet kanë bazë ligjore dhe nëse ka kontestime janë organet të cilat mund të shqyrtohen dhe unë i përgjigjem atyre organeve. E drejta e shfrytëzimit dhe pronësia janë dy çështje të ndryshme, komuna e jep në shfrytëzim më kushte, dhe nëse nuk plotësohen kushtet pronësia kthehet në komunë”, thotë Buja.

Por, kryetari i komunës se Lipjanit, Imri Ahmeti, konsideron se kjo është e padrejtë dhe nuk ka bazë ligjore.

“Nuk ka të drejtë, kushtet e kontratës janë shumë të qarta, operatori ose koncesionari që ka marrë të drejtën e shfrytëzimit të pronës deri në 99 vite, nuk e mban të drejtën e kalimit në pronësi por edhe në shfrytëzim të kujtdo qoftë tjetër. Janë kushte specifike që brenda afatit tre vjeçar ai duhet të përfundoi ndërtimin për të cilin ka aplikuar për të marrë këtë parcelë”, shprehet Ahmeti.

Mënyra e dhënies

Në dokumentet që i ka Radio Evropa e Lirë, sqarohet se tjetërsimi i pronës komunale, është bërë nga një kërkesë nga zyra e prokurimit për bartjen e pronësisë të këtyre kompanive.

Edhe pse këto kompani janë regjistruar në vitin 2009 kurse pronarët e tyre janë larguar nga kompania në vitin 2010.

Me një aktvendim të komunës nënshkruhet bartja e pronës te të dy këto kompani, por më pronarë të ndryshëm, e që në këtë rast në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thuhet se janë regjistruar në vitin 2009, por që statusi i tyre është pasiv nga viti 2013.

Pronarë të këtyre kompanive tashmë janë Atije Idrizaj, Albana Idrizaj dhe Arian Idrizaj. Apo siç shkruan, pronar është Universiteti i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” dhe SH.P.K “Luarasi”.

Por, në aktvendimin e komunës thuhet se këto kompani në organet kompetente janë regjistruar në shtator të vitit 2012.

Herën e parë pronari i “Rezonancës", Ramadan Idrizaj pati pranuar se kishte blerë aksionet e këtyre kompanive, ndërkaq më një mesazh të dërguar me telefon, pronari aktual i kompanisë “Punëtori”, Arian Idrizaj, po nga Rezonanca, shkruan se në parcelë do të ndërtohet një spital për rehabilitim dhe një depo farmaceutike.

Ai madje thotë se kanë marrë pëlqimin urbanistik dhe janë në procedura administrative për marrjen e lejes së ndërtimit.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Luarasi” (i cili nuk dëshiroi që t’i publikohet emri), që merret me përpunimin e granitit dhe mermerit, pranon se fillimisht ka biseduar më zotin Idrizaj që të jetë bashkëpronar i kësaj parcele, por marrëveshja nuk është arritur.

Në kontratën e nënshkruar nga komuna e Lipjanit dhe pronarë të kompanisë “Punëtori” dhe “B-Ingjiniering”, thuhet se Partneri Privat, paluejtshmërinë e marrë në shfrytëzim ka të drejtë ta përdorë vetëm për realizimin e projektit për “Qendrën distributive farmaceutike”, nuk ka të drejtë ta japë në shfrytëzim pa pëlqimin e Autoritetit kontraktues.

Autoriteti kontraktues mbetet pronar i vetëm dhe i përhershëm.

Çështja tash ka hyrë në proces hetimor. Nesër mund të lexoni më shumë për fatin e kësaj parcele të kontestueshme të tokës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG