Ndërlidhjet

Putin mbështet Serbinë në lidhje me Kosovën

  • RFE /RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Beograd, ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për Serbinë.

Putin është ftuar në paradën e parë ushtarake të Serbisë në rreth 30 vjet, e cila zhvillohet me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit nga forcat naziste.

Në aeroportin “Nikola Tesla” të kryeqytetit serb, Putin është pritur nga presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, dhe ambasadori i Serbisë në Rusi, Sllavenko Terziq.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë me Nikolliqin, Putini ka thënë se Rusia ka mbështetur Serbinë dhe do të vazhdojë ta mbështesë, se Rusia nuk bën tregti me miqësinë dhe se lidhjet ekonomike midis dy vendeve kanë tendencë të rriten.

Ai, po ashtu, ka përmendur edhe Kosovën, pavarësinë e së cilës e kundërshtojnë si Serbia, ashtu edhe Rusia.

“Qëndrimi i Rusisë në lidhje me çështjen e Kosovës është çështje parimi. Ai nuk bazohet vetëm në miqësinë tonë dhe lidhjet tona të afërta, por edhe në të drejtën ndërkombëtare po ashtu. Është qëndrim parimor dhe nuk mund të ndryshojë”, ka thënë Putin.

Duke iu referuar kësaj çështjeje, presidenti i Serbisë, Nikolliq, është përgjigjur:

“Ne sot vlerësojmë mbështetjen tuaj në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, sidomos në lidhje me Kosovën”, ka thënë Nikolliq.

Nga Pallati i Serbisë, ai ka porositur se Serbia do të vazhdojë të ruajë marrëdhëniet miqësore me Federatën Ruse.

“Serbia e sheh Rusinë si aleat të madh dhe partner. Serbia nuk do të bëjë kompromis me parimet e saj. Ne po ashtu nuk kemi zgjedhje tjetër, nuk mund të bëjmë ndryshe. Bashkëpunimi ynë ekonomik përcjell partneritetin tonë”, ka thënë Nikolliq.

Ditë më parë, ai është zotuar se Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë, edhe pse një gjë e tillë i është kërkuar nga Perëndimi.

Pas takimit me Nikolliqin, Putini është takuar edhe me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Dy zyrtarët janë përqendruar në bashkëpunimin ekonomik.

“Dua t’ju falënderoj sepse Serbia, me sa më duket mua, është i vetmi vend evropian, i cili mund të eksportojë mish derri në Federatën Ruse dhe në këtë drejtim, rritja e eksportit tonë është gati e pabesueshme”, është shprehur Vuçiq.

Në pritje të Putinit, dyqanet nëpër Beograd kanë shitur bluza me fotografinë e tij.

“Asgjë më e mirë nuk ka mundur të na ndodhë. Putin është personalitet i famshëm. Ai ka shndërruar një vend, që ishte në prag të falimentimit, në një fuqi botërore”, ka thënë një qytetar serb me emrin Vukan Bariçanin.

Por, Dragan Shutanovac, i cili ka qenë ministër i Brendshëm i Serbisë nga viti 2007 deri më 2012 ka kritikuar “dëshirën për të adhuruar Putinin”.

“Është e qartë se ka një dëshirë për të adhuruar Putinin, që unë mendoj se është e panevojshme. Mendoj se edhe vetë Putini është i hutuar, sepse nuk besoj se pret diçka të tillë”, ka thënë Shutanovac.

Serbia ka lëvizur për katër ditë paradën e ushtrisë, vetëm për t’iu përshtatur agjendës së Putinit. (v.tela)

XS
SM
MD
LG