Ndërlidhjet

logo-print

Politika mund të bëjë më shumë për të pagjeturit


Në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të pagjetur që nga viti 1999.

Në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të pagjetur që nga viti 1999.

Përfaqësuesit nga departamentet e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe Beograd, thanë se ka ende hapësirë për t’i shtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar personat, fati i të cilëve ende nuk dihet që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Në një diskutim të mbajtur nga zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, patologë nga Prishtina dhe Beogradi folën për rolin vendimtar të Mjekësisë Ligjore në zgjidhjen e rasteve të personave të pagjetur.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, theksoi se një nga pengesat kryesore në këtë drejtim është mungesa e informacioneve nga pala serbe.

“Informatat kanë filluar të mplaken, por faktikisht kërkesat tona gjithmonë kanë qenë që të bëhet një presion në palën serbe që të hapen arkivat e luftës dhe të policisë, në mënyrë që të dimë saktësisht se ku ndodhen mbetjet mortore edhe afërsisht të 1,700 personave, të cilët ende janë të zhdukur”, tha Gërxhaliu.

Ai theksoi se edhe pala serbe kërkon informacione nga pala kosovare, duke qenë se nën 500 persona janë të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera joshqiptare.

“UÇK -ja ka qenë jo e centralizuar në këtë aspekt dhe e kemi të vështirë të vijmë deri tek informatat. Jemi munduar të gjejmë një rrugë se si të vijmë deri tek informata. Serbia ka qenë një shtet i organizuar policor dhe ushtarak deri në tërheqjen e saj me arritjen e NATO-s, ajo ka pasur çdo pëllëmbë të tokës nën kontroll dhe e dimë fare mirë se i ka informatat dhe duhet t’i hapë për t’i gjetur”, theksoi Gërxhaliu.

Kurse, Djordje Alempijeviq, nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Beograd. tha se sa i takon çështjes së personave të pagjetur, mund të punohet më shumë në përshpejtimin e rasteve. Sipas tij, problemi më i madh jo vetëm sa i përket konfliktit në Kosovë, por në tërë hapësirat e ish-Jugosllavisë, është gjetja e vendeve të varrimit.

“Unë besoj thellësisht se mund të përshpejtohet dhe mendoj se kjo u takon liderëve që jetojnë në këto hapësira. Adresa e saktë ku duhet të bëhet presion është politika, sepse ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë dëshmuar që kanë kapacitete t’ia dalin në krye me procesin e identifikimit dhe me sa di unë, është i vogël numri i trupave të zhvarrosur e që nuk janë identifikuar”.

“Problemi më i madh, jo vetëm sa i përket konfliktit në Kosovë, por në tërë hapësirat e ish-Jugosllavisë, është gjetja e vendeve të varrimit, sepse qartazi për këtë nuk ekziston vullnet i plotë. Natyrisht, përvojat nga konfliktet tjera, jashtë konflikteve të Ballkanit perëndimor flasin se disa trupa nuk do të gjenden kurrë dhe ky është një realitet që duhet ta pranojmë”, u shpreh Alempijeviq.

Zoran Budimlija nga Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Pagjetur në Bosnje dhe Hercegovinë, sa i takon çështjes së identifikimit të mbetjeve mortore, tha se nuk është shumë e vështirë të identifikohet një kockë, por është shumë e ndërlikuar të gjenden të gjitha pjesët e një trupi nga një varrezë.

“Për fat të keq, në hapësirat e ish-Jugosllavisë, e dimë që situata ishte aq komplekse, kishte jo vetëm një rast të varrezave sekondare apo të treta. Por, tash është e domosdoshme të bashkohen forcat, jo vetëm në nivelin teknik, por edhe në nivelin e pushtetit lokal, pavarësisht nga entitetet, që të ketë qasje në çdo material dhe të bëhet identifikimi, sepse kjo qartazi është e mundur. Në Nju Jork edhe 13 vjet pas ngjarjeve po rishikohen rastet që nuk janë identifikuar dhe me metodat e reja, po identifikohen”, theksoi Budimlija.

Ndryshe, gjatë kësaj jave në Kosovë, nga Serbia është bërë riatdhesimi i 12 mbetjeve mortore nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës.

Varreza masive në Rudnicë është zbuluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ekipet mjekoligjore dyshojnë se në këtë varrezë janë rreth 250 trupa të varrosur të shqiptarëve. Disa prej tyre tashmë janë dorëzuar tek autoritetet e Kosovës.

Në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të pagjetur që nga viti 1999.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG