Ndërlidhjet

Për parregullsitë e dyshuara që kanë ndodhur në procesin e dhënies më shfrytëzim të pronave të paluajtshme të komunës se Lipjanit, udhëheqja e re e kësaj komune ka filluar të mbledh të gjitha shënimet.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se për këto parregullsi është informuar kohëve të fundit dhe për këtë arsye është formuar një Komision i veçantë.

“Ne kemi ardhur në dijeni kohëve të fundit për këtë fakt. Por, kemi mbledhur të gjitha shënimet për të gjitha pronat komunale që janë dhënë në shfrytëzim afat gjatë, jo vetëm këtyre dy kompanive por të gjitha kompanive që janë dhënë".

"Pastaj kemi procedura në Kuvend ku kemi zgjedhur një komision që do të trajtojë pronën e paluajtshme të komunës se kujt iu është dhënë, si është menaxhuar dhe më çfarë procedurash janë dhënë”, thotë Ahmeti.

Fjala është për një parcelë që gjendet në fshatin Konjuh të Lipjanit, në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, ku për shkak të përvetësimit të pronës se komunës është ndërruar pronari i kompanisë fituese, që sipas autoriteteve kompetente është e pa drejtë.

Madje për dyshimet për procedurat gjatë dhënies, tjetërsimi i pronës se paluajtshme kanë qenë disa nga arsyet që komuna e Lipjanit, ka dërguar lëndët, duke përfshirë edhe parcelën në fjalë, në organet hetimore, thotë kryetari Imri Ahmeti.

“Arsye e parë, shkelja e procedurave gjatë dhënies, e dyta - ka kaluar koha kur këto kompani është dashur të veprojnë, të përfundojnë projektin e ndërtuar dhe e treta tjetërsimi i pronës apo shfrytëzimi i pronës nga personat e tretë".

"Ne i kemi dërguar kontrata dhe vendimet që kemi gjetur lidhur më parcelat dhe pastaj çfarë shohim se si do të rrjedh puna në organet kompetente. Ne mendojmë se ka bazë të mjaftueshme dhe do të shohim në fund të fundit verdiktin e Prokurorisë se a do të iniciojë ndjekjen e këtyre veprimeve apo do të ndërmarr veprime të tjera”, thekson Ahmeti.

Edhe në Departamentin Special Kundër Korrupsionit konfirmojnë se lëndët kanë arritur në këtë adresë, por hollësi të tjera nuk janë bërë publike.

Ndërkaq, ish kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, në mandatin e të cilit janë dhënë në shfrytëzim për 99 vjet tokat e paluajtshme, thotë se është i gatshëm të përballet me organet e drejtësisë.

“Jam i gatshëm normalisht, çdo lëndë e dinë kryetari i komunës( Imri Ahmeti) se janë lëndë kryesisht të viteve kur ka qenë krye shef, ndërkaq një numër i vogël janë dhënë kur kam qenë unë kryetar. Njëzetedy hektarë janë dhënë në atë kohë dhe nuk janë realizuar projektet dhe nuk kanë mundur të rikthen në komunë sepse menaxherët i kanë dhënë raportet ndryshe, kështu për të gjitha pronat janë i gatshëm pse jo”, thekson Buja për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, që nga viti 2006 deri në vitin 2009 Komuna e Lipjanit, ka dhënë 37 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet, e që gjysma nuk kanë filluar zbatimin e projekteve të paraqitura në kontratë.

Sipas ligjeve fituesi i tenderit, konkretisht kontraktuesi i punës për realizimin e projektit duhet të fillojë menjëherë pas nënshkrimit të kontratës dhe prej asaj dite projekti duhet të jetë gati për 540 ditë pune.

Autoriteti kontraktues, në këtë rast komuna e Lipjanit, e bënë mbikëqyrjen e realizimit të projektit.

Nëse kompania fituese dështon në përmbushjen e detyrimeve apo ndërron llojin e veprimtarisë së ofruar në tender, atëherë autoriteti kontraktues, duhet ta kthejë në shfrytëzim paluajtshmërinë.

Por, pavarësisht kësaj disa kompani kanë arritur të përfundojnë projektet, disa kanë vënë themelet, disave u është ndërruar pronari, e disa janë në proces të ndërrimit apo tjetërsimit të pronës komunale.

“Lufta” e bizneseve për këto prona nuk është e vogël, pasi gjenden në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku sipas agjencive të patundshmërive, një ari tokë, në atë lokacion kushton deri mbi 10 mijë euro, varësisht nga lokacioni dhe infrastruktura rrugore.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG