Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë në dijeni për operacione të fluturimit nga militantët e Shtetit Islamik (IS) “në Siri apo diku tjetër”.
Komanda Qendrore e SHBA-së i ka bërë këto komente pasi një grup monitorues ka raportuar se militantët e IS-it janë duke u trajnuar për të drejtuar aeroplanët e rrëmbyer luftarakë.
Kreu i Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, Rami Abdel Rahman, ka thënë se dëshmitarët kanë parë ngritje të aeroplanëve nga një bazë ajrore në Alepo të Sirisë – një zonë kjo e cila është nën kontrollin e militantëve të IS-it.
Rahman ka thënë se aeroplanët janë drejtuar nga pilotë të ushtrisë irakiane, të cilët kanë shërbyer nën Saddam Husseinin.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së, koloneli Patrick Ryder, ka thënë se “ne nuk jemi në dijeni se IS-i është duke kryer operacione të fluturimit në Siri ose gjetkë”.