Ndërlidhjet

logo-print

Tjetërsimi i pronave komunale nga personat e tretë, që viteve të fundit kanë ndodhur në Kosovë, po konsiderohet akt joligjor edhe nga ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, me këto çështje duhet të merren organet kompetente.

Ndryshe, në Kosovë ka raste kur janë ndërruar operatorët fitues të pronave të paluajtshme më qëllim të përvetësimit të pronave të dhëna në shfrytëzim për 99 vjet nga komunat përkatëse.

Rastet e ndërrimit të pronarit të tokës së dhënë në shfrytëzim pa aprovimin e organeve komunale, përbëjnë shkelje ligjore dhe veprimet e tilla janë të patolerueshme, thotë Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest’.

Ai thotë se, nëse në këto raste nuk intervenon komuna qëllimisht, bëhet fjalë për konflikt interesi dhe mundësi të aferave korruptive, me të cilat, sipas tij, duhet të merren organet kompetente.

“Kur projekte të caktuara ndryshohen pa ndonjë planifikim të mirëfilltë dhe pa ndonjë vendimmarrje të mirëfilltë, komuna nuk ka të drejtë të bëjë tolerime të tilla dhe zyrtarë komunalë duhet të mbahen përgjegjës për një rast të tillë”.

“Në rast se ka dyshime apo bazë për aferë korruptive, atëherë Prokuroria e Kosovës duhet të marrë hapa sa më shpejt, meqenëse këto dëme që po ndodhin, shpesh dhe në heshtje, po janë me pasoja afatgjatë për Kosovën”, vlerëson Abdixhiku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, edhe zyrtarë të Asociacionit të Komunave të Kosovës në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, thonë se Komuna nuk e tjetërson pronarin, pra, titullarin e pronës, komuna mbetet çdo herë pronar i asaj prone, por vetëm i jepet në shfrytëzim prona, assesi nuk lejohet tjetërsimi i pronarit të pronës së paluajtshme .

Nëse një kompani, thuhet në përgjigje, e merr në shfrytëzim një pronë të paluajtshme, qoftë për afat të shkurtër apo afat të gjatë, sipas procedurave ligjore, mirëpo pas një kohe nuk mund të arrijë të vazhdojë të veprojë ose mund të falimentojë, atëherë prona i kthehet komunës dhe komuna përsëri e jep pronën në shfrytëzim sipas procedurave ligjore.

Assesi nuk ndërrohet kompania fituese nga njëri te tjetri, prona i kthehet komunës, përsëri zhvillohen procedurat si herën e parë, konkurrojnë dhe ai që i plotëson kushtet, e fiton të drejtën për ta marrë në shfrytëzim pronën e paluajtshme të komunës, thuhet në përgjigjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës .

Edhe drejtori ekzekutiv në Qendrën Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet kompetente duhet të parandalojnë parregullsitë e tilla, sepse këto veprime krijojnë dyshime për veprime korruptive.

“Kjo krijon dyshime jo vetëm për parregullsi, por mund të ketë edhe veprime abuzive apo korruptive në këtë transaksion, sepse shfrytëzues i pronës nuk mund të bëhet kush të dojë dhe si të dojë, jashtë procedurave të shpalljeve publike apo tenderit që ka pasur. Me një fjalë kontratë për shfrytëzimin e një hapësire apo pasurie komunale, mund të bëjë vetëm autoriteti komunal”, deklaron Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, tokat në shfrytëzim për 99 vjet janë dhënë në bazë të disa Rregulloreve të UNMIK-ut, kurse nga viti 2010 ky proces realizohet përmes Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

Sipas këtij Ligji, Kuvendi Komunal e ka të drejtën t’u japë personave fizik dhe juridik pronën e paluajtshme publike komunale për shfrytëzim në afat më të gjatë se 10 vjet, por jo më shumë se 40 vjet pas plotësimit të kritereve të përcaktuara me ligjet përkatëse.

Pas mbarimit të afatit të dhënies së pronës në shfrytëzim ose ndërprerjes së parakohshme të marrëveshjes për shfrytëzim, sipas Ligjit, e drejta e shfrytëzimit i kthehet komunës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG