Ndërlidhjet

logo-print

Murphy: Partitë politike të sakrifikojnë për të mirën e vendit


Senatori Christopher Murphy

Senatori Christopher Murphy

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që partitë politike në Kosovë t’i lënë anash qëndrimet e tyre politike individuale dhe të gjejnë rrugën për dalje nga ngërçi politik, për të mirën e vendit, ka porositur të shtunën senatori amerikan, Christopher Murphy, i cili ka mbajtur një ligjëratë para studentëve në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Senatori Murphy, duke komentuar, siç e ka quajtur ai, momentin e vështirë në Kosovë, ka tërhequr paralele duke thënë se në Senatin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të vazhdueshme ekzistojnë konfrontime me situata, në të cilat ekzistojnë prioritete politike të partive, që nuk lejojnë hyrjen në koalicione për të bërë ndryshime në vend.

Por, sipas tij, është dëshmuar se çdo herë kur shtohet kriza në SHBA, të dy partitë bashkohen për të mirën e vendit.

“Për këtë, ne, amerikanët, shpresojmë se kjo do të ndodhë këtu në Kosovë; që partitë politike do të jenë në gjendje t’i lënë anash qëndrimet e tyre politike individuale dhe do të krijojnë koalicion, që përfshinë sakrificë personale për të mirën e vendit. Për këtë arsye, në të vërtetë, është demokracia”, ka thënë senatori Murphy, dhe ka shtuar:

“Shpresojmë se për një kohë të shkurtër miqtë e Kosovës do të jenë në gjendje ta vizitojnë Prishtinën dhe të takohen jo vetëm me presidenten, por të ulen dhe të takohen edhe me Qeverinë e re. Kjo do ta bënte më të lehtë situatën për njerëzit që kanë investuar në këtë marrëdhënie për të qenë në gjendje të bëjnë punë të mirë për ju në Uashington dhe në kryeqytetet në mbarë botën”.

Murphy ka theksuar se misioni parësor për ardhjen e tij në Kosovë është riafirmimi i partneritetit të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe, siç ka thënë, për ta duartrokitur përparimin që ka bërë Kosova. Senatori Murphy ka theksuar se 5 vjet më parë, ka qenë e paimagjinueshme që sot mund të bisedohet për hapat pasues që janë ndërmarrë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një marrëveshje historike. Ne e dimë se ajo që është e rëndësishme tash janë detajet e implementimit. Pra, kjo ishte një marrëveshje e paprecedente, historike, e papritur, nëse ju do t’i kishit pyetur shumë njerëz nëse ata mendonin se Serbia dhe Kosova do të jenë këtu pas pesë vjetësh”, ka theksuar senatori Murphy.

Ai gjithashtu ka vlerësuar përpjekjet e Kosovës në luftë kundër ekstremizmit, duke theksuar se lidhur me këtë temë ka biseduar edhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga:

“Në takimin me presidenten e Kosovës, unë e lavdërova atë për përpjekjen që ky vend i ka bërë në çrrënjosjen e ekstremizmi, për arrestimin e atyre që do të luftonin për shndërrimin e religjionit dhe ideologjisë për qëllime të dhunshme. Bota është falënderuese për përpjekjet e Qeverisë suaj, po ashtu, në këtë front”.

Duke iu drejtuar studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, senatori Murphy ka thënë se ky universitet është një e arritur demonstruese e asaj që vazhdon të jetë një tregim i madh i progresit arsimor dhe ekonomik.

Ai u ka thënë studentëve se askush nuk do të jetë i kënaqur me shkallën e papunësisë, e në veçanti me shkallën e papunësisë në mesin e të rinjve, por, sipas tij, ekonomia në vend po rritet dhe se investitorët e jashtëm sot janë më të interesuar për Kosovën se kurrë më parë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG