Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Orientim kah Lindja dhe Rusia(?)


Ilustrim

Ilustrim

Institucionet e Maqedonisë janë të përkushtuara në procesin integrues të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, por në anën tjetër, ato nuk përjashtojnë mundësinë e opsioneve tjera, duke marrë parasysh, sipas tyre, zvarritjen e këtij procesi nga vende të caktuara, siç është Greqia, por edhe pafuqinë e shteteve tjera për t'i bërë asaj presion në zhbllokimin e procesit integrues.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar zhvillimet e fundit në rajon dhe procesin integrues të Maqedonisë.

Derisa Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar për integrimin euroatlantik, partneri i saj në Qeveri, VMRO-DPMNE-ja, përveç zotimeve deklarative, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim tjetër në afrimin e vendit drejt Brukselit, ndërsa nuk heziton në thellimin e bashkëpunimit me shtetet e lindjes, në veçanti me Rusinë.

Ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se nuk do të jetë e largët dita kur platformë e Maqedonisë do të jetë aleanca me Rusinë.

“Deklarimet e fundit të ministrit të Jashtëm, Lavrov, se Ballkani rrezikohet nëse anëtarësohet në NATO, duke pasur parasysh vizitën e fundit të presidentit rus, Putin, në Beograd, si dhe tendencat e Serbisë se do të jetë edhe me BE-në edhe me Rusinë, që është e pamundur dhe e pakuptimtë, unë mendoj se pas raportit të ardhshëm të progresit që po ashtu do të jetë negativ, Maqedonia do të ndryshojë kursim dhe së bashku me Serbinë do të pozicionohet në një aleancë për të thellë me Serbisë“, thotë Demiri.

I pyetur të komentojë pozicionin shqiptar në një situatë të tillë, Demiri thotë se ata do të jenë në pozitë më të pavolitshme për shkak të orientimit të tyre properëndimor dhe pafuqisë së subjektit politik shqiptar për të bërë më shumë në drejtim të integrimit euroatlantik të vendit.

Nga ana tjetër, ish-diplomati Risto Nikovski, konsideron se mungesa e vullnetit të BE-së për zgjerimin e saj në Ballkan, nxjerr në sipërfaqe interesimin e Moskës për këtë pjesë të rajonit.

Kjo, sipas tij, dëshmohet me vizitën e presidentit rus, Vlladimir Putin, në Beograd. Ai beson se interesim i Moskës për Ballkanin mund të përshpejtoj procesin integrues.

Interesi në rritje i Moskës për rajonin mund të përshpejtojë procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE, pasi ato do ta kuptojnë se nuk ka lojë me këtë çështje. Pra, është fakt se Rusia dëshiron të rrisë ndikimin në rajon, ndërsa në këtë kuadër kemi edhe angazhimin e saj që shtetet e rajonit të jenë sa më larg anëtarësimit në NATO. Unë mendoj se bashkëpunimi me Moskën duhet të vazhdojë të thellohet. Pse të mos kemi marrëveshje të tregtisë së lirë? Kjo do ishte mirë për ekonominë tonë pavarësisht rrethanave tjera“, thotë Nikovski.

Ai shton se Maqedonia në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojë ndryshimin e emrit kushtetues nëse ky vazhdon të mbetet kushti kryesor për integrimin e saj euroatlantik.

Nga ana tjetër, Alajdin Demiri nuk beson se interesimi i Moskës për rajonin mund të përshpejtojë procesin integrues.

“Nuk mund ta nxis për arsye se edhe BE-ja nuk është aq e interesuar për këtë pjesë të Ballkanit, e në veçanti për Maqedoninë dhe Serbinë, për shkak se janë shtete problematike, të cilat asnjëherë nuk do të mund të plotësojnë kriteret që kërkohen nga Bashkësia Evropiane“, vlerëson Demiri.

Në raportin e fundit të progresit, Maqedonia mori rekomandimin, por jo edhe datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Ajo kësaj radhe u përball me kritika të shumta për shkak të ngecjes në reforma.

Përveç moszgjidhjes së çështjes së emrit, ajo u kritikua edhe për mungesën e dialogut politik, lirinë e mediave dhe pushtetin gjyqësor.

XS
SM
MD
LG