Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Studentët, pasivë për të drejtat e tyre


Protestë studentësh në Shkup ( Foto nga arkivi)

Protestë studentësh në Shkup ( Foto nga arkivi)

Si pasojë e ndërhyrjes së politikës në zgjedhjen e udhëheqësisë së lidhjeve studentore në Maqedoni, studentët janë skeptikë se mund të organizohen protesta të studentëve për realizimin e çfarëdolloj kërkese.

Samoil Mancevski, ish-kryetar i Lidhjes së Studentëve të Universitetit të Shkupit, konsideron se sistemi arsimor në Maqedoni duhet të pësojë ndryshime rrënjësore, veçanërisht në pjesën e organizatave studentore, duke instaluar mekanizma të qartë përmes të cilëve do të pamundësohet çfarëdolloj ndërhyrjeje e politikës në organizimin e studentëve.

“Këtu, në Maqedoni, kemi të bëjmë me dy çështje thelbësore. Problem i parë është sistemi i keq arsimor, i cili në vend se të ndërtojë individë të pavarur, për fat të keq ndërton personalitete të dëgjueshme. Problemi i dytë është pasiviteti i organizatave studentore, ngase krerët e këtyre organizatave, në vend se të luftojnë për të drejtat e studentëve, ata për fat të keq fokusohen në realizimin e interesave personale”, thekson Mancevski.

Edhe Ersan Pajaziti, student në Universitetin Shtetëror të Tetovës, pohon se krerët e Unionit të Studentëve zgjidhen përmes direktivave të ndryshme politike dhe kjo i bën që ata, më pas mos të kenë autoritet në mesin e studentëve për çfarëdolloj iniciative.

“Nga vetë shkaku se të gjitha organizatat studentore, madje edhe ato joqeveritare, janë të dirigjuara nga pushteti ose partitë politike, si ka mundësi që ne t`u besojmë atëherë për të dalë e për të protestuar për çfarëdolloj kërkese”, shprehet Ersan Pajaziti.

Ndërsa, kolegu i tij Besim Ibrahimi thotë se edhe në ato pak raste kur është marrë guxim për të protestuar rreth keqmenaxhmit të universitetit, apo politikave të caktuara, dora e politikës ka gjetur mënyrë për t`i heshtur ata.

Po nuk ka asnjë iniciativë, e cila ndërmerret nga ana e studentëve si pasojë e përvojës nga e kaluara kur ndaj atyre, që ishin iniciues të ndonjë kërkese, ndërmerreshin të gjithë mekanizmat nga aparati shtetëror për t` parandaluar protestat, dhe tani është krijuar një bindje se nuk mund të bëjnë asgjë”, thekson studenti Besim Ibrahimi.

Nga ana tjetër, Stefan Aleksiq nga Forumi Rinor në Maqedoni konsideron se pasiviteti i studentëve për të ndërmarrë çfarëdo lloj iniciative, burimin e ka te besueshmëria që kanë qytetarët e Maqedonisë.

Të gjitha aksionet tona rrjedhimisht janë organizuar nga institucionet, madje edhe pavarësinë institucionale ne si të rinj e kemi arritur përmes rrugës institucionale ndryshe nga praktikat e vendeve të dala nga ish- Jugosllavia. Kështu që unë besoj se ne, si të rinj, kemi besim në sistemin shtetëror dhe pikërisht kjo është dhe arsyeja e mungesës së iniciativave studentore meqë gjithçka presin që institucionet t`ua servojnë si të gatshme”, vlerëson Aleksiq.

Por, ndryshe nga ai, Valon Kelmendi, student në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë se është e turpshme që një universitet me mijëra studentë të mos reagojë, qoftë për një kërkesë të vetme që prek interesat e shqiptarëve, të cilat kërkesa me vite mbeten të parealizuara.

“Unioni i Studentëve këtu në Maqedoni, nuk është funksional, flas për pjesën e studentëve shqiptarë. Studentëve nuk u bëhet kurrfarë ftese për të ndërmarrë çfarëdolloj iniciative ndaj ndonjë dukurie të caktuar. Studentët janë të zhgënjyer, sepse nuk kanë mundësi të reagojnë përmes protestave, ta zëmë, mosjetësimin në praktikë të gjuhës shqipe”, konsideron studenti Valon Kelmendi.

Së fundmi, në shenjë revolte, studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës, të disperzuar në Shkup, kanë bllokuar një orë hyrjen në Universitet, në shenjë revolte për imponimin e pagesës prej 100 denarësh për Parlamentin Studentor, vendim ky që siç theksojnë studentët e USHT-së në Shkup, është sjellë nga Rektorati, edhe pse bie plotësisht në kundërshtim me Rregulloren e Universitetit, pasi që Unioni Studentor është kryekëput organ i pavarur nga Universiteti dhe Rektorati.

Përderisa hesht udhëheqësia e USHT-së, studentët kanë theksuar se do t`i vazhdojnë protestat edhe për shkak të mbylljes së programeve studimore të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore.

Ndryshe, tre vjet më parë profesorët e Universitetit të Shkupit dolën për të protestuar kundër ndryshimeve ligjore të arsimit të lartë, duke theksuar se përmes tyre cenohet autonomia e universiteteve, njëkohësisht një pjesë e studentëve po të Universitetit të Shkupit dolën të protestojnë në mbrojtje të politikave qeveritare.

XS
SM
MD
LG