Ndërlidhjet

SHBA furnizon me armë kurdët në Kobani


Pamje nga Kobani
Pamje nga Kobani

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se forcat amerikane kanë furnizuar nga ajri forcat kurde, që luftojnë militantët e Shtetit Islamik në qytetin Kobani të Sirisë.

Përmes një njoftimi për media, Komanda Qendrore ka thënë se aeroplanët C-130 kanë hedhur armë, municione dhe pajisje mjekësore, të siguruara nga autoritetet kurde në Irak.

Thuhet se ato kanë për qëllim të ndihmojnë rezistencën e vazhdueshme kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët bëjnë përpjekje të marrin kontrollin e plotë të Kobanit.

Furnizimet nga ajri janë të parat të këtij lloji dhe pasojnë disa javë të sulmeve ajrore, të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Komanda Qendrore ka thënë se forcat amerikane kanë kryer mbi 135 sulme ajrore kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik në Kobani. Sulmet kanë nisur në fillim të tetorit.

“Të kombinuara me rezistencën e vazhdueshme kundër Shtetit Islamik në terren, këto sulme kanë ngadalësuar avancimet e Shtetit Islamik në qytet, kanë vrarë qindra luftëtarë të tij dhe kanë shkatërruar ose dëmtuar dhjetëra pajisje luftarake dhe pozicione të tij”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, ajo thekson se militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë të kërcënojnë aftësinë e forcave kurde për të kontrolluar qytetin, “Kobani mund të bie ende”, thuhet në deklaratë.

Zyrtarë të lartë në Uashington kanë thënë se furnizimet nga ajri kanë përfshirë tre aeroplanë dhe 27 pako me furnizime.

Të dielën, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se nuk do të lejojë luftëtarët kurdë që të përfitojnë nga transferimet e armëve amerikane.

Turqia u ka rezistuar thirrjeve për të ndihmuar kurdët që luftojnë në Kobani, duke i përshkruar ata si terroristë të ngjashëm me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, grup militant kurd.

Turqia është përballur me një kryengritje 30-vjeçare nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Militantët e Shtetit Islamik kontrollojnë disa territore në Siri dhe Irak. Kobani, i cili ndodhet në kufi me Turqinë, është një nga objektivat e tyre strategjike. Luftimet e ashpra në këtë qytet kanë detyruar evakuimin e shumicës së banorëve civilë.

Perëndimi është duke kryer sulme ajrore edhe në Irak, me ftesë të qeverisë së këtij vendi. Rafineria e rëndësishme e Baijit është nën kërcënim të vazhdueshëm të militantëve të Shtetit Islamik dhe, të dielën, ushtria irakiane ka thënë se ka nisur një ofensivë për rimarrjen e qytetit pranë, me të njëjtin emër.(v.tela)

XS
SM
MD
LG