Ndërlidhjet

Maqedoni: Vetëkritikat e Qeverisë, veprim populist


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Kritikat e vetë partnerëve të koalicionit qeveritar për punën e ekzekutivit, nga njohësit e çështjeve politike vlerësohen si populiste, me qëllim të përfitimit të pikëve politike.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha ditë më parë se nuk është i kënaqur nga pushteti gjyqësor, duke e kritikuar për mungesë të pavarësisë dhe marrjen e vendimeve selektive, ndërsa kritikoi edhe administratën për politizim të skajshëm.

Ai tha se për këto devijime përgjegjësi bartin edhe kuadro të BDI-së, pasi siç u shpreh, në partinë e tij nuk janë të gjithë engjëj.

Edhe kryeministri Nikolla Gruevski tha se mund të bëhet edhe shumë më tepër në punën e Qeverisë, edhe pse numëroi një sërë sferash, ku sipas tij, është bërë shumë kohëve të fundi.

Analisti Xhelal Neziri thotë se përgjegjësia për dështimet nuk duhet të kërkohet te qarqe të caktuara në parti, pasi ajo në radhë të parë bie mbi kryetarin e subjektit politik.

“Është një strategji që përdoret nga BDI-ja për të amnistuar liderin, që është lokomotivë e të gjitha fitoreve të BDI-së dhe për të fajësuar të tjerët në stilin se lideri është i mirë, por ata të tjerët nuk bëjnë, apo janë të korruptuar. Nëse dëshiron Ahmeti të pastrojë qeverinë apo partinë nga këta njerëz të papërgjegjshëm, atëherë duhet të fillojë nga vetja apo të nisë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë që janë ministra dhe zëvendëskryeministra“, thotë Neziri.

Sipas tij, sjellja e këtillë e partnerëve të koalicionit vjen në kohën kur vendi thuajse është pa opozitë, apo me parti opozitare të pakonsoliduara, të cilat, më tepër merren me vetveten se sa me punën e pushtetit.

Gruevski është në pozitë komode njëjtë sikur Ahmeti që ndonjëherë të jetë vetëkritik, apo t’i bëjë opozitë vetes për shkak të pozicionit të dobët të LSDM-së dhe PDSH-së, të cilat nuk kanë fuqi të rezistojnë apo t’i bëjnë opozitë këtij pushteti. Andaj Gruevski dhe Ahmeti sillen në këtë mënyrë. Gjithsesi se është një sjellje e tyre poshtëruese, është një sjellje që nënçmon dhe përçmon qytetarin e Maqedonisë, pra është një sjellje aspak e përgjegjshme“, vlerëson Xhelal Neziri, njohësi i çështjeve politike.

Kryeministri Gruevski, duke komentuar kritikat e Ahmetit lidhur me raportin e progresit, tha se Qeveria ka bërë shumë në drejtim të afrimit të vendit në strukturat euroatlantike dhe se me këtë ritëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por, njohësit e çështjeve evropiane, thonë se sikur Qeveria të kishte punuar sa duhet, ajo tani do të kishte nisur negociatat për anëtarësim.

“Është më se e qartë se nuk është kështu; është më se e qartë se duhet të punohet që të arrihet ndonjë sukses. Disa herë e kamë thënë se të gjitha shtetet në rajon po ecin përpara përveç nesh që jo vetëm se nuk ecim para, por kthehemi pas në procesin e integrimit”.

“Sistemi politik te ne është në krizë, ajo përsëritet nga viti në vit, kemi Kuvend jofunksional, kemi probleme me lirinë e mediave, me gjyqësinë, e kështu me radhë, thjesht nuk po bëjmë atë që nevojitet në procesin e integrimit të vendit“, thotë Bojan Mariçiç nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

XS
SM
MD
LG