Ndërlidhjet

HRW: Forcat e Ukrainës kanë përdorë municion të palejuar


Organizata Human Rights Watch (HRW) thotë se forcat e qeverisë së Ukrainës kanë përdorë municion shpërndarës në hapësirat e banuara në pjesën lindore të qytetit Donjeck, këtë muaj.

Ky grup me seli në Nju Jurk, tha mbrëmë se ka dokumentuar “përdorim të gjërë” të municonit shpërndarës në luftimet ndërmjet forcave proqeveritare dhe separatistëve prorusë, në më tepër lokacione.

HRW tha se nuk ishte e mundshme të përcaktohet përgjegjësia për shumë sulme, duke shtuar se ekziston “dëshmi e fuqishme” për përgjegjësinë e forcave qeveritare ukrainase për disa sulme me municion shpërndarës në Donjeck.

Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, Bogdan Senyk, i ka hedhur poshtë akuzat, duke vlerësuar se ato janë “të pabaza”.

HRW thotë se përdorimi i këtij lloj municioni, që shpërndahet në pajisje më të vogla të shumëfishta, në një hapësirë të madhe, në zonat e banuara, paraqet shkelje të rregullave të luftës për shkak të natyrës joproporcionale të armatimit dhe “mund të jetë krim lufte”.

XS
SM
MD
LG