Ndërlidhjet

Jahjaga nuk i drejtohet Kushtetueses për pikën 127


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë rreth pikës 127 të aktgjykimit rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Të hënën, një grup i deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë, i drejtuan Jahjagës një kërkesë me shkrim, ku kërkonin që ajo t’i kërkonte Kushtetueses sqarime.

Dilemat kryesore të krijuara rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit kanë të bëjnë me atë se a kanë të drejtë edhe partitë jo fituese të zgjedhjeve të kandidojnë një kandidat për kryetar Kuvendi, pasi që partia fituese nuk po arrin të krijoj shumicën në Kuvend.

Mirëpo, në përgjigjen e Jahjagës, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë thuhet se duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dy vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin e Presidentes si faktor i unitetit të popullit, vlerësohet kërkesa e deputetëve, por zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit kushtetues.

“Zgjidhja për nyjën institucionale është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në respektim të Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Jahjagës.

“Në kohën kur po e testojmë demokracinë tonë të brendshme dhe gjithashtu edhe pjekurinë tonë politike, duke mos dashur që të sfidojmë procedurat e mëtejme ligjore, që do të mund të zvarrisin gjithë procesin e ndërtimit të institucioneve dhe të thellojnë ndasitë e krizat, është përgjegjësi dhe obligim i deputetëve të Kuvendit që me mirëbesim, mirëkuptim, me kompromis si pjesë e kulturës së dialogut, të gjejnë zgjidhjen e cila do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse”, ka vijuar tutje presidentja.

Presidentja Jahjaga ka zhvilluar këto ditë një seri takimesh me liderët e partive politike, por deri më tani nuk ka arritur deri te zgjidhja për tejkalimin e ngërçit rreth formimit të institucioneve të reja.

Ndërsa kishte alarmuar partitë politike se koha po kalon, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar i ka rikonfirmuar presidentes Jahjaga mbështetjen që përmes diskutimeve me partitë politike të gjendet një zgjidhje për tejkalimin e krizës.

“Ne i mbështesim përpjekjet e presidentes së Kosovës dhe angazhimet e saj që t’i shtyj liderët politik drejt një zgjidhje konkrete”, ka deklaruar Zbogar.

Sikurse edhe herëve tjera, përfaqësuesi evropian e ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes diplomatike ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjes, duke ia lënë këtë punë spektrit politik nga Kosova.

Përndryshe, komunitetet pakicë konsiderojnë se pika 127 e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka nevojë për disa sqarime.

Në momentin kur Gjykata Kushtetuese ta thotë qartë se kush ka të drejtë të propozoj kryetarin e Kuvendit, atëherë rruga do të qartësohet thonë deputetët që nënshkruan kërkesën drejtuar presidentes.

Deputeti Mahir Jagxhilar nga komuniteti turk mendon se sqarimi i Kushtetueses është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm për tejkalimin e situatës së krijuar. Ai nuk preferon që vendi të shkoj në zgjedhje, kurse si pozicionim, komunitetet pakicë sipas tij do të jenë me atë parti apo koalicion që arrin të krijoj shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve.

Zgjedhjet e 8 qershorit, nuk kanë prodhuar akoma institucionet e reja, pasi që Kuvendi ka mbetur i pa-konstituuar në mungesë për mungesë të kryetarit të zgjedhur.

Të dyja blloqet politike, PDK në njërën anë dhe ai i koalicionit pas-zgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje pretendojnë këtë post. Pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të formohet as qeveria e re e Kosovës, pasi që Kuvendi është organi më i lartë në Kosovë nga i cili zgjidhen qeveria dhe presidenti.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG