Ndërlidhjet

logo-print

Soheila Jowrkesh është vetëm njëra nga vajzat e reja në qytetin Isfahan të Iranit, të cilat janë sulmuar me acid, me sa duket për shkak se nuk kanë qenë të mbuluara si duhet.

Studentja 27 vjeçe ka qenë në makinën e saj, me dritare të hapur, kur dy burra me motoçikletë kanë hedhur acid në drejtim të saj. Sulmi i ka verbuar krejtësisht syrin e djathtë, i ka dëmtuar të majtin dhe i ka shkaktuar djegie në ballë, duar dhe këmbë.

Kështu ka shpjeguar për shërbimin në gjuhën perse të BBC-së babai i saj, Nasser Jowrkesh.

Edhe disa viktima të tjera ose të afërm të tyre, të intervistuar nga agjencia iraniane e lajmeve ISNA, kanë folur për sulme të ngjashme.

Një vajzë me emrin Maryam është njëra nga to. Ajo po ashtu ka pasur hapur xhamin e dritares së makinës kur është sulmuar. Maryam ka thënë se burrat me motoçikletë kanë hedhur rreth dy litra acid në fytyrën dhe trupin e saj. Ajo ka humbur bebëzen e njërit sy dhe ka marrë plagë të rënda në trup.

“Jam ende e tronditur nga mënyra se si një person mund të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Maryam.

Policia iraniane ka thënë se katër vajza kanë qenë viktima të sulmeve të tilla, por postimet në mediat sociale sugjerojnë se bëhet fjalë për më shumë se dhjetë.

Arsyeja e dhunës nuk është e qartë. Shumë fajësojnë islamistët e linjës së ashpër, me qëllim zbatimin e hixhabit islam.

Sipas kodit islamik të veshjes, i cili në Iran është bërë i detyrueshëm pas revolucionit të vitit 1979, gratë duhet të mbulojnë kokën e tyre dhe të veshin veshje modeste.

Por, në vitet e fundit, ato i kanë lejuar vetes që të tregojnë pak flokët, të vishen ngushtë apo të vënë make-up. Kjo ka zemëruar konservatorët, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa.

Ligjvënësit në parlament kanë propozuar një ligj, i cili do t’iu jepte mbrojtje ligjore vullnetarëve që imponojnë hixhabin dhe normat islamike.

Megjithatë, zëvendësministri i Brendshëm i Iranit, Morteza Mirbagheri, ka thënë se katër persona të dyshuar për sulme me acid, janë arrestuar.

Aktualisht nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me sigurinë në Isfahan. Çështja e sulmeve me acid është trajtuar në mënyrën më të mirë”, ka thënë ai.

Pavarësisht komenteve të tilla, në rrjetet sociale është shprehur zemërim me, siç thuhet, mosveprimin e policisë dhe mungesën e vullnetit politik për të trajtuar çështjen.

Imami iranian, Seyed Yousef Tabatabayinejad, ka thënë se sulmet me acid janë kundër Islamit.(v.tela)

XS
SM
MD
LG