Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia, në luftë të ashpër kundër korrupsionit


Pamje nga Kuvendi i Maqedonisë

Pamje nga Kuvendi i Maqedonisë

Lufta kundër korrupsionit në Maqedoni është selektive, thonë ekspertët për çështje juridike duke komentuar arrestimet e fundit të disa ish zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim detyre në periudhën e viteve 2004-2009, por edhe arrestime tjera të ish zyrtarëve të qeverisë së kaluar.

Juristi Mersim Pollozhani, ka thënë se përkundër aferave të publikuara në media deri më sot, asnjë funksionar i pushtetit aktual nuk ka përfunduar në burg, apo nuk është ngritur procedurë gjyqësore për shpërdorim të detyrës, gjë që i hedh poshtë pretendimet e pushtetit për efikasitet në luftën kundër korrupsionit.

Ai thotë se veprimi i tillë i institucioneve ka për qëllim edhe tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve nga gjendja e rëndë ekonomike dhe problemet e shumta me të cilat përballen.

“Kjo që po ndodhë kohëve të fundit nuk ka të bëj vetëm me politikën selektive në përndjekjen e qytetarëve për vepra të kryera penale, por kemi të bëjmë edhe me një mënyrë të të kamufluarit e krizës së thellë politike, ekonomike dhe sociale që ndodhë në Maqedoni. Thjesht, këto raste shërbejnë vetëm si një shami e kuqe me të cilin demit i tërhiqet vërejta mos të sulmoj toreadorin, gjegjësisht popullit i tërhiqet vërejtja të mos mendoj për krizën e thellë ekonomike, por të mendojnë gjoja për veprimin e një shteti juridik ndaj krimit të organizuar“, ka shtuar Mersim Pollozhani, ekspert juridik dhe ish-zëvendësministër i drejtësisë.

Dragan Malinovski, ish Kryetar i Komisionit për Antikorrupsion, thotë se lufta kundër kësaj dukurie duhet të jetë e përbashkët, pasi asnjë institucion nuk mund të bëjë asgjë nëse organet tjetra nuk e kryejnë si duhet punën.

“Kjo në një farë mënyre flet për punën e vet komisionit kundrejt institucioneve tjera, para së gjithash mendoj për prokurorinë, apo sa merret seriozisht ajo që punohet nga komisioni. Unë jam i bindur se lëndët që janë ngritur nga MPB-ja dhe nga prokuroria, janë në numër më të madh“, thotë Malinovski.

Ndryshe, sipas një hulumtimi të realizuar nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar dhe USAID, komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit vitin e kaluar ka hetuar 228 raste, por vetëm për shtatë prej tyre kanë pasur epilog gjyqësor. Këtë rezultat ambasadori amerikan, Pol Uolers e kishte vlerësuar me zero, krahasuar me shtetet tjera të cilat kanë shënuar rezultate të theksuara.

“Është objekti, por tjetër është se sa do të ndikoj apo pranohet nga veshët e shurdhër të qeverisë aktuale. Pushteti dëshiron me çdo kusht të vazhdon të funksionoj me këtë përbërje dhe nuk zgjedh mjete. Fundi i kësaj dihet, por askush nuk mund të thotë se kur do të jetë ai, pasi populli është i frikësuar më shumë se në sistemet apo fazat më totalitare të komunizimit në ish Jugosllavi“, ka thënë Mersim Pollozhani duke shtuar se korrupsioni dhe dukuritë tjera negative, po marrin përmasa shqetësuese në Maqedoni, të cilat janë theksuar edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.

Sipas hulumtimit të Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar dhe USAID-it, korrupsioni është problemi i pestë me radhë për qytetarët e Maqedonisë pas papunësisë, varfërisë, të ardhurave të ulta dhe çmimeve të larta.

XS
SM
MD
LG