Ndërlidhjet

Pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë ndërkombëtare kundër virusit Ebola, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka ngritur shkallën e gatishmërisë në rast të shfaqjes së rasteve të kësaj sëmundje me fatalitet të lartë.

Zyrtarë të këtij instituti kanë thënë se kujdesi në parandalimin e sëmundjes është shtuar dhe se nuk ka nevojë për panikë, duke e ditur se virusi nuk po përhapet përmes ajrit, por me kontakt direkt me lëngjet e trupit të personit të infektuar apo të kafshës së infektuar.

Shpërthimi i Ebolës në Afrikën Perëndimore është sfida më e madhe që prej shfaqjes së virusit HIV/AIDS, kanë thënë zyrtarë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara.

Ndryshe, nga ky virus kanë vdekur më shumë se 4.500 persona, shumica nga Afrika Perëndimore.

Në Kosovë deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të shfaqjes së virusit Ebola. Kosova poashtu ka qenë pjesë e parandalimit dhe kontrollit të Ebolës në nivel nacional në Liberi, ku profesor Lul Raka, mikrobiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, iu është bashkuar angazhimeve globale kundër këtij virusi.

Për atë se sa kanë njohuri qytetarët e Kosovës për Ebolën , dhe sa ata e shohin vendin si të rrezikuar nga ky virus, kemi anketuar disa qytetarë për të marrë mendimet e tyre.

Diana Bunjaku, 39 vjecare nga Prishtina, mendon se Kosova nuk mund të jetë vend i sigurtë për t’u mbrojtur nga ky virus.

"Sa kam njohuri, Ebola është një virus vdekjeprurës dhe më shumë se 4 mijë njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 10 mijë janë të infektuar. Me sa kam kuptuar, në Kosovë nuk është infektuar asnjë person, por duhet ta kemi parasysh që vendi jonë nuk është një vend i izoluar pasi që këtu ka shumë ndërkombëtar dhe ata vijnë e shkojnë , dhe nuk mund t’ua ndalojmë. Kështu që mundet me qenë ndonjë i prekur dhe të vijë në Kosovë".

Edhe Ardita Kastrati e cila ka studiuar për shkencat politike, nuk beson në gatishmërinë e vendit për parandalimin e kësaj sëmundje.

"Unë si qytetare kam shumë pak njohuri dhe atë njohuri që e kam e kam marrë përmes medieve,Për Kosovë nuk kam njohuri nëse dikush është i prekur, me sa e di nuk ka.Por mendoj se Kosova nuk ka karantinë , në mënyrë që njerëzit e prekur të izolohen. Nuk besoj që e kemi atë mundësi.

Edhe nëpër aeroporte aty ku ka lëvizje të qytetarëve qofshin ndërkombëtar apo vendorë, ne nuk besoj që aty kemi ndonjë ekspert që do të mund ta bënte verifikimin nëse është apo jo i sëmurë ndonjë qytetarë. Por me simptomat e gripit , ka pasur raste që i kanë ndaluar dhe pas analizave është verifikuar që nuk ka rezultuar me Ebola".

Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë,mendon se Kosova është e gatshme për t'u përballur me këtë virus vdekjeprurës.

"Sa i përket shtretërve nuk kam informacion se a janë të ndarë, por duke i pasur parasyshë kapacitetet që janë rehabilituar në periudhën e pandemisë së gripit të shpezëve , kapacitetet momentale janë adekuate".

Por,zoti Syla ka shtuar se Kosova ende nuk është pajisur me mjete për mbrojtje personale.

Ai ka thënë se deri më tani informatat për Kosovën kanë qenë kryesisht të dorëzuara përmes udhëzimeve të Organziatës Botërore të Shëndetësisë , derisa nuk është mbajtur ndonjë stërvitje praktike për Ebolën në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG