Ndërlidhjet

Punëtorët e KEDS-it hyjnë në grevë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Për shkak të mos realizimit të kërkesës për rritje të pagave, punëtorët e Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) në Kosovë kanë hyrë në grevë.

Bojkotimi i punës do të zgjat tri ditë. Të mërkurën greva është mbajtur një orë në hapësirat e kompanisë në të gjitha distriktet, duke vazhduar kështu edhe në ditën e enjte, derisa në ditën e tretë, greva do të zgjasë gjatë tërë orarit të punës, para objektit të KEDS-it.

Fehmi Pajaziti kryetar i Sindikatës së Pavarur ElektroKosova, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se greva ka filluar në të gjitha distriktet me përjashtim të Gjilanit.

Ai thekson se pas ditës së premte do të ndërpritet greva në mënyrë që t’iu jepet hapësirë përfaqësuesve të KEDS që ta shqyrtojnë kërkesën e tyre.

“Nëse në mënyrë paqësore dhe me dialog nuk ka zgjidhje të këtij problemi greva do të vazhdojë deri në realizmin e kërkesave të punëtorëve”, ka thënëPajaziti.

Ai ka shtuar se punëtorët po kërkojnë që t'u rriten pagat për 120 euro në mënyrë lineare.

Punëtorët e KEDS që nga muaji mars i këtij viti, kanë kërkuar që të ketë rritje të pagave, por që një kërkesë e tillë ndonëse e shqyrtuar nga përfaqësuesit e KEDS, nuk është arritur të realizohet.

Zëdhënësi i Distribucionit për Furnzim me Energji Elektrike, Guri Shkodra tregon për Radion Evropa e Lirë se rritja e pagave për punëtoret e KEDS-it do të mund të reflektonte në ngritje të tarifave të energjisë elektrike.

“Për të pasur çfarëdo rritje të pagave duhet tw ndryshohen apo të ngriten kostot e lejuara, që Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike i ka bërë për KEDS, qysh në vitin 2012 dhe fatkeqësisht kostot e lejuar nuk parashohin ngritje të pagave për punëtorët.

Një ngritje e tillë në vendimin më të mirë nëse (ZRRE) vendos pozitivisht do të mund të reflektonte në tarifat e energjisë elektrike të cilën ne nuk do të donim të ndodh për shkak se është në dëm të konsumatorit”, sqaron Shkodra.

Ai kërkon nga sindikatat e punëtorëve që të respektojnë ligjet e aplikueshme në Kosovë në mënyrë që çfarëdo aktiviteti që ata ndërmarrin të jetë në përputhje me ligjet në fuqi.

“Ne kemi disa vërejte rreth organizimit të grevës, pasi që mendojmë se greva është hapi i fundit që duhet të ndërmerret. Ne kemi insistuar dhe vazhdojmë të insistojmë në respektimin e ligjit, që thotë se duhet të ketë ndërmjetwsim para organizimit të grevës”, thekson Shkodra.

Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë u ngrit disa herë gjatë dekadës së fundit. Vetëm gjatë vitit 2012, faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Kosovës u rritën për 8.9 për qind. Derisa, në gusht të këtij viti Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka nxjerrë vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5,18 për qind.

Një vendim të ngjashëm ky institucion e kishte marrë edhe në muajin qershor, ku kishte aprovuar vendime për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.

Ngritja e çmimeve të energjisë elektrike ishte kritikuar dhe kundërshtuar nga bizneset dhe përfaqësuesit e Organizatave jo-qeveritare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG