Ndërlidhjet

logo-print

Partitë politike po e orientojnë procesin e formimit të institucioneve të vendit drejt dështimit, thonë disa nga kryeredaktorët e medieve të shkruara në Kosovë.

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikanët jo vetëm që nuk po kanë zgjidhje, por nuk po kanë as ide se si mund të dilet nga kjo situatë.

“Secili po tenton të dërgojë përgjegjësinë te pala tjetër, por në fund më duket se e tërë elita politike dhe institucionale po dështon në garantimin e një shteti funksional për qytetarët e vendit dhe mendoj se qytetarët janë ata që me së paku e kanë merituar që politika dhe institucionet tua bëjnë këtë gjë”, tha Bajrami

Arben Ahmeti, kryeredaktor nga e përditshmja “Tribuna”, thotë se tendenca e jashtëzakonshme për të marrë pushtet e ka dëmtuar vendin jashtë mase.

Sipas tij, ngërçi politik dhe mosfunksionimi i institucioneve e ka sjellë Kosovën buzë një kolapsi ekonomik.

“Duke qenë se ka devalvuar kaq shumë përgjegjësia ndaj votës, unë mendoj që zgjidhja e vetme është ajo e cila deri vonë ka qenë zgjidhja me e pa dëshirueshme e që janë zgjedhjet. Vetëm zgjedhjet dhe rikthimi te qytetaret do të mund t’i bej këto parti pak më të përgjegjshme dhe do të mund të tregoj se vota nuk është vetëm besim por është edhe përgjegjësi në raport me qytetarët”, tha Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe nga zoti Ahmeti, kryeredaktorja e gazetës së përditshme “Zëri”, Arbana Xhara konsideron se zgjedhjet nuk janë alternativa e zgjidhjes së këtij problemi politik.

Zonja Xharra këtë mendim e bazon në faktin që, siç thotë ajo, nga përsëritja e zgjedhjeve problemet mund të përsëriten, pasi që nuk është bërë reforma zgjedhore.

Ajo thekson, pos tjerash, se në këtë situatë, ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është alternativa e vetme që do ta nxirrte Kosovën nga ky ngërç politik.

“Janë haptazi interesat kryekëput personale të secilës palë kemi dy blloqe të barikaduar të cilat nuk heqin dorë na kërkesat e tyre. Ndonëse, zyrtarisht dhe drejtpërdrejt nuk kemi intervenim ndërkombëtar, megjithatë propozimet e tyre janë që të zhbllokohet dhe të kemi sakrifica personale. Edhe bashkësia ndërkombëtare sheh qartazi që këtu liderët nuk heqin dorë për kërkesat e tyre që kanë. Unë personalisht mendoj se pa ndërhyrjen ndërkombëtare nuk do të mund të zgjidhim ketë problem duke parë katër muaj radhazi se si kanë shkuar zhvillimet në politikë”, tha Xharra.

Seanca konstituive për zgjedhjen e organeve të reja në Kuvend ka nisur më 17 korrik dhe që prej atëherë, i gjithë procesi zgjedhor është ngarkuar me një numër lëndësh të dërguara në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për interpretim se kush ka të drejtë të njihet si grupi më i madh parlamentar, kush ka të drejtë të emërojë kryetarin e Kuvendit dhe kush ka të drejtë të formojë qeverinë.

Zgjedhjet e 8 qershorit kanë përfunduar me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, por nuk e ka numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvend për të formuar institucionet.

Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul në qëndrimin e tyre, se i kanë numrat rrjedhimisht të drejtën për pasur postin e kryeparlamentarit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG