Ndërlidhjet

Harper: Kanadaja nuk frikësohet, e lufton terrorizmin

  • RFE /RL

Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, ka thënë se “Kanadaja nuk do të frikësohet” dhe do ta luftojë terrorizmin, pasi një ushtar i Kanadasë është vrarë të mërkurën nga një person i armatosur afër parlamentit të këtij vendi në kryeqytetin Otava.

Vrasësi i dyshuar është vrarë pas këmbimit intensiv të zjarrit me policinë brenda ndërtesës së parlamentit.

Ky fjalim i kryeministrit Harper drejtuar kombit, u bë derisa po zhvillohej operacioni masiv i sigurisë, nga i cili disa pjesë të qytetit ishin bllokuar, derisa forcat e sigurisë ishin në kërkim të të dyshuarve potencialë.

Incidenti ndodhi pasi Kanadaja, ditën e hënë e ka ngritur nivelin e kërcënimit terrorist, pas vrasjes së një ushtari tjetër, në një sulm nga një person i konvertuar në islamizëm.

Zoti Harper tha se zhvillimet e fundit tregojnë se Kanadaja “nuk është imune nga sulmet terroriste”.

“Ngjarjet e kësaj jave janë përkujtim i zymtë se Kanadaja nuk është imune nga llojet e sulmeeve terroriste, që i kemi parë në gjithë botën. Po ashtu, na është përkujtuar se sulmet kundër personelit të sigurisë dhe në institucionet tona të qeverisjes janë për nga natyra e tyre e vërtetë, sulme në vendin tonë”, tha Stephen Harper, gjatë fjalimit televiziv.

Ushtari i vrarë, i cili ishte në roje në përmendoren e Memorialit të Luftës afër Parlamentit të Kanadasë, është identifikuar si ushtari Nathan Cirillo.

Njëherësh, raportet në media thonë se policia e Kanadasë po zhvillon hetime për njeriun me emrin, Michael Zehaf-Bibeau, si i dyshuar i mundshëm në të shtënat me armë zjarri.

Gazeta kanadeze, Globe And Mail, duke cituar autoritetet federale në Kanadaa, ka raportuar se personi Zehaf-Bibeau, i lindur në Kanada, në të 30-tat, është i njohur për autoritetet e Kanadasë.

Aktualisht, ai ishte vënë në listën e “udhëtarëve me rrezik të lartë” nga qeveria e Kanadasë , dhe rrjedhimisht, pasaporta i tij ishte konfiskuar.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, i ka dënuar të shtënat në Otavë si “sulme të tmerrshme” dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar.

“Ne ende nuk i kemi të gjitha informacionet lidhur me motivet e të shtënave, ende nuk i kemi të gjitha informacionet nëse kjo ishte pjesë e rrjetit ose planit më të gjërë, apo kemi të bëjmë me një individ, ose me një seri të individëve, që kanë vendosur të ndërmarrin aksione të tilla. Por, kjo e thekson se ne duhet të mbetemi vigjilent”, tha presidenti, Barack Obama, të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Zoti Obama, i cili ka folur me telefon me kryeministrin e Kanadasë, Stephen Harper, tha se e ka ngushëlluar atë në emër të popullit amerikan.

Kanadaja, më herët këtë muaj, i është bashkuar koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili po ndërmerr sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Autoritetet në Otavë thanë se vendimi për ngritjen e alarmit për kërcënim terrorist ishte shkaktuar nga intensiteti i “të folurit pa ndonjë kuptim” nga pjesëtarët e grupeve radikale siç janë Shteti Islamik dhe al-Kaida, por kanë thënë se nuk ka pasur ndonjë kërcënim specifik.

Asnjë grup islamik ose ndonjë tjetër, nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Otavë ose atë në fillim të kësaj jave.

I dyshuari për sulmin e 20 tetorit, Martin Rouleau, 20 vjeçar, i cili vitin e kaluar ka kaluar në fenë islame, ishte në mesin e 90 njerëzve që po gjurmohen nga policia për dyshime se po marrin pjesë në aktivitetet militante jashtë ose planifikojnë ta bëjnë këtë.

Sikur Zehaf-Bibeaut, edhe Rouleaut, po ashtu, i ishte konfiskuar pasaporta më herët këtë vit dhe ishte parandaluar nga udhëtimi për në Turqi. (F. Bujupi)

XS
SM
MD
LG