Në Beograd po mbahet konferenca rajonale, ku për herë të parë po marrin pjesë edhe dy ministrat e Kosovës, Enver Hoxhaj nga Ministria e Jashtme dhe Fadil Ismajli i zhvillimit Ekonomik.
Takimi i cili ka filluar para pak çastesh po mbahet pa simbole shtetërore.
Para fillimit të këtij takimi, Hoxhaj u ka thënë gazetarëve, se pas 25 vjetësh gjendet në Beograd.
”Jam në Beograd për herë të parë pas 25 vjetësh. Kjo tregon se sa e vështirë ka qenë rruga për të ardhur në Serbi”, ka thënë ai.
Para konferencës, Ministri Hoxhaj ka shkruar në rrjetin social 'Facebook', se vizita e tij në Beograd është rezultat i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Mediave serbe dhe atyre ndërkombëtare u thashë se prania e ministrave kosovarë në Serbi veçmas e imja si ministër i Jashtëm flet për progresin që është arritur në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne po hyjmë në një fazë të re të intensifikimit të komunikimit të drejtpërdrejt me palën serbe”, ka shkruar Hoxhaj në ‘Facebook’.