Ndërlidhjet

Të përmirësohet pozita e mediave në Maqedoni


Ilustrim

Ilustrim

Shoqatat e gazetarëve kërkojnë nga institucionet masa konkrete për përmirësimin e pozitës së mediave në vend, e jo vetëm angazhime deklarative sa për të krijuar imazhin e rrejshëm para bashkësisë evropiane se ajo angazhohet për liri të shprehjes dhe media të pavarura.

Mediat kërkojnë së pari shfuqizimin e vendimit gjyqësor dhe lirimin nga të gjitha akuzat e gazetarit Tomisllav Kezharovski, i dënuar me 4 vjet e gjysmë burg, për shkak të publikimit të një dëshmitari të mbrojtur në një hulumtim mbi një veprimtari kriminale.

Drejtuesit e këshillit për lirimin e gazetarit, sot kanë përkujtuar edhe një vjetorin e dëbimit me dhunë të gazetarëve, të cilët kishin dalë në protesta në mbrojtje të Kezharovskit.

“Ekziston brengosje serioze për kontrollin e qeverisë ndaj institucioneve publike dhe mediave. Maqedonia fatkeqësisht u shndërrua në një nga vendet e vetme në kontinentin e Evropës, që për fjalë të shkruar, për tekst të vitit 2008, një gazetar të dënohet me 4 vjet e gjysmë burg”, thotë Dragan Sekullovski, nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Në anën tjetër, Sefer Tahiri, ekspert dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se përmes rastit me gazetarin, Tomisllav Kezharovski, pushteti përçon mesazhin frikësues për të gjithë gazetarët e tjerë, se mund t'i gjej fati i njejtë nëse marrin guximin të kritikojnë punën e institucioneve.

“Sjellja e shtetit ndaj Kezharovskit më tepër është sinjal për gazetarët e tjerë që të mbyllin gojën sepse duhet të kenë parasysh, pra gjithmonë sipas pushtetit, se edhe atyre mund ti ndodhë një gjë e tillë edhe atyre që nuk shkruajnë apo që do të tentojnë të shkruajnë për krimin, korrupsionin apo lidhjeve tjera kriminale mes pushtetit dhe strukturave të biznesit, e kështu me radhë“, thotë Tahiri.

Ai vlerëson se pushteti pavarësisht deklarimeve se angazhohet për përmbushjen e kritereve për media të lira, në praktikë bën të kundërtën duke mbështetur financiarisht mediat që raportojnë për punën e saj, e ndërkohë mediat që kritikojnë, ose i mbyllin apo përmes presioneve të ndryshme i detyron të ndryshojnë politikën e informimit.

“Nuk shoh ndonjë zgjidhje afatgjate të këtyre problemeve dhe ky avaz do të vazhdojë, pra që qeveria të blejë apo të korruptoj mediat me paratë e buxhetit që sigurohet nga qytetarët, e në anën tjetër atyre do t'ju servohet vetëm një e vërtetë, apo një realitet virtual.

Kjo do të dëmtoj edhe më tepër mediat, do të degradojë punën e gazetarëve të vërtetë, apo të atyre që angazhohen për informimi i drejtë dhe objektiv“, shton Tahiri.

Reagimet e gazetarëve vijnë një ditë para se gjykata e apelit të vendos mbi ankesën e gazetarit për shpalljen e tij të pafajshëm. Lirimi i Tomisllav Kezharovskit është kërkuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Federatata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), “Reporterët pa Kufinj“ dhe shoqata të tjera.

Ndryshe, Maqedonia në vazhdimësi ka pranuar kritika edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian për shkeljen e lirisë së shprehjes dhe mbylljen e mediave ndërsa në radhitjen e organizatave të ndryshme mediatike ajo vazhdon të pozicionohet në grupim me disa shtete afrikane ku liria e shprehjes nuk është e garantuar.

XS
SM
MD
LG