Ndërlidhjet

SHBA: Të votojnë të gjithë ukrainasit

  • RFE /RL

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga të gjithë ukrainasit, përfshirë edhe ata në pjesën lindore nën kontrollin e kryengritësve dhe në gadishullin e Krimesë, që është aneksuar ilegalisht nga Rusia, që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Ukrainë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, votimet e fundjavës i ka vlerësuar si “moment madhor” për Ukrainën.

“Ky është një tjetër moment madhor për këtë vend, që përsëri po demonstron përkushtimin e vet për proces të qëndrueshëm demokratik, përkundër trazirës politike dhe sfidat e konsiderueshme të sigurisë, që mbeten në disa pjesë të këtij vendi”, tha Jen Psaki.

Separatistët pro-rusë në rajonet lindore në Donjeck dhe Luhansk synojnë mbajtjen e zgjedhjeve të tyre të ndara në muajin nëntor.

Por, Jen Psaki tha se “të vetmet zgjedhje legjitime” që mbahen në Ukrainë, janë ato të ditës së diel dhe votimet lokale më 7 dhjetor.

“Ne shpresojmë të shohim pjesëmarrje të gjërë në zgjedhje nga të gjithë ukrainasit, përfshirë ata në Krime, Donjeck dhe Luhansk, dhe fuqishëm e dënojmë çfarëdo ndërhyrje në këtë proces legjitim demokratik dhe ndërhyrjen në të drejtën e popullit të Ukrainës që në mënyrë paqësore t’i zgjedhë liderët e vet. Të vetmet zgjedhje legjitime në Ukrainë janë ato më 26 tetor dhe 7 dhjetor, për liderët lokalë në zonën me status special në Donbas”, tha Jen Psaki.

Ajo e ka lavdëruar qeverinë e Ukrainës për përgatitjet e saj për zgjedhje të lira.

“Ne e përgëzojmë qeverinë e Ukrainës për përgatitje të vazhdueshme për zgjedhje të lira, korrekte dhe gjithëpërfshirëse, dhe kërkojmë nga autoritetet në të gjitha partitë politike të sigurojnë, që votimet të jenë në linjë me normat ndërkombëtare demokratike”, tha Jen Psaki, dhe ka shtuar se Uashingtoni “është i gatshëm për të punuar me Parlamentin e ri të Ukrainës për luftimin e korrupsionit, për ndërmarrjen e reformave dhe vazhdimin e zgjidhjes paqësore të konfliktit në pjesën lindore të vendit”.

Nga ana tjetër, Sergei Ivanov, shefi i kabinetit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i tha agjencisë Interfax se Moska do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në Ukrainë, pasi Rusia dëshiron kthimin e normalizimit në Ukrainë.

Megjithatë, kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka tërhequr vërejtjen se Rusia mund të përpiqet t’i shkatërrojë zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, më 26 tetor.

Zoti Yatsenyuk tha se “është absolutisht e qartë se përpjekjet për destabilizimin e situatës do të vazhdojnë dhe do të provokohen nga Rusia”.

Më tutje ai ka theksuar se Ukraina është “në gjendje të agresionit rus dhe ne para vetes kemi një sfidë më tepër – mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare”.

Sipas tij, Ukrainës i duhet “mobilizim i plotë i gjithë sistemit të zbatimit të ligjit për parandalimin e shkeljeve në procesin zgjedhor dhe përpjekjeve për akte terroriste gjatë zgjedhjeve”.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, tha se autoritetet kanë vendosur që në ditën e zgjedhjeve në detyrë të jenë 82 mijë policë.

Sipas tij, 4 mijë pjesëtarë të forcave speciale do të jenë në mesin e atyre që e mbajnë rregullin gjatë votimit.

Këto komente të zyrtarëve të lartë të Ukrainës u bënë pas tri sulmeve të dhunshme kundër kandidatëve për Parlamentin e Ukrainës, gjatë disa ditëve të kaluara.

Incidenti i fundit kishte ndodhur më 20 tetor kur Volodimir Borysenko, nga partia e zotit Yatsenyuk, ishte qëlluar meqë kundër tij ishte hedhur një mjet shpërthyes.

Ai i ka shpëtuar sulmit vetëm për shkak se kishte të veshur jelekun anti-plumb, për shkak të kërcënimeve ndaj tij.

Zgjedhjet për Parlamentin e Ukrainës do të mbahen përkundër vazhdimit të luftimeve në pjesën lindore të këtij vendi, ndërmjet forcave të qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve prorusë. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG