Ndërlidhjet

Jahjaga: Zgjidhja e krizës, përgjegjësi e liderëve partiakë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës i është përgjigjur kërkesës së subjekteve politike të bllokut të përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Më 23 tetor blloku LAN ka kërkuar nga presidentja që të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë lidhur me pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth postit të kryetarit të Kuvendit.

Në përgjigjen e presidentes së Kosovës, dërguar subjekteve politike të bllokut LAN, sot, thuhet se 'duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin kushtetues të Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën tuaj, por besoj se është detyrë, obligim dhe përgjegjësi e të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, si deputetë të zgjedhur të Kuvendit dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës, të punoni së bashku për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme'.

Gjithashtu në përgjigjen e presidentës së Kosovës, theksohet se “zgjidhja duhet të gjendet brenda parimeve të përcaktuara, për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, që do të punojnë në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe që do të përmbushin edhe pritjet e qytetarëve të vendit dhe gjithashtu edhe obligimet karshi bashkësisë ndërkombëtare”.

Në përgjigjjen e saj, presidentja e Kosovës, ka theksuar domosdoshmërinë e një takimi të përbashkët te liderëve politik, në Zyrën e Presidentës.

“Nisur nga të gjitha këto kërkesa, besoj se është e domosdoshme që liderët e partive politike parlamentare të pajtohen që të mblidhen në një takim të përbashkët në Zyrën e Presidentës.

Qëllimi i takimit do të jetë gjetja e zgjidhjes përbrenda këtij kuadri të përcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetutës dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e presidentës së Kosovës.

Ajo ka shprehur gatishmërinë që të vazhdoj lehtësimin e procesit përmes të cilit liderët e partive politike parlamentare do të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

XS
SM
MD
LG