Ndërlidhjet

logo-print

Muaji tetor në Kosovë njihet si muaji i solidaritetit. Të rinjtë në Kosovë në mënyrë të organizuar kanë zhvilluar aktivitetet, me anë të së cilave iu kanë dal në ndihmë njerëzve nevojtar.

Në rubrikën e përjavshëm VOX të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e disa të rinjve se sa ata janë solidar dhe arrijnë të ndihmojnë të tjerët.

Shumë prej tyre shprehen se janë mjaft human dhe se kanë qenë pjesë e shumë aksioneve humanitare.

Xhansa Sunguri është një vajzë 15 vjeç nga qyteti i Prishtinës. Ajo tregon se shumë herë ka ndihmuar miqtë, kur ata kanë kërkuar ndihmën e saj.

“Kur ishim në shkollë fillore kemi bërë aksione të shumta humanitare me anë të së cilave kemi ndihmuar të tjerët dhe normalisht që kam qenë pjesë e këtyre aktiviteteve. Secili njëri mendoj që ka mundësi të ndihmoj të tjerët do ta bënte më shumë dëshirë një gjë të tillë”, shprehet ajo.

Kohëve të fundit një dukuri mjaft e shprehur në Kosovë është organizimi i aksioneve humanitarë nga të rinjtë për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga ndonjë sëmundje që kërkon shërim jashtë vendit.

Në qendër të Prishtinës shumë herë rastis që të dëgjosh zërat e të rinjve që në mënyrë të organizuar mblidhen dhe kërkojnë fonde për persona që kanë nevojë.

Qytetarja Diana Gashi, thotë se i vjen mirë që ka vullnet të njerëzve për t’i ndihmuar të tjerët e sidomos fëmijëve, meqë siç thekson ajo, institucionet relevante nuk po kanë shumë vullnet dhe mundësi për ta bërë një gjë të tillë.

“Interesimi i qytetarëve gjithmonë ka qenë i madh, ata çdo herë tregohen të gatshëm për t’i ndihmuar fëmijët në nevojë, pasi që shteti nuk ka ofruar ndihmë maksimale për fëmijët në nevojë. Njerëzit që i kanë fëmijët e sëmurë, kanë gjetur mbështetje në diasporë , meqë ata iu kanë ndihmuar shumë financiarisht”, shprehet ajo.

Liza Rrahmani, një vajzë e re nga Prishtina thotë se me shumë dëshirë do të merrte pjesë në aksione humanitare.

“Nëse ka ndonjë iniciativë dikush që e merr iu bashkëngjitëm, por organizim konkret nuk kamë bërë ndonjëherë vet. Është mirë ta ndihmosh dikë. Në fakt kohëve të fundit janë vërejtur iniciativa të tilla nga të rinjtë, të cilat janë për tu admiruar”, shprehet ajo.

Ndërkaq, Lulevere Sadriu e cila ndjek studimet në njërin nga fakultetet private tregon se shumë herë ka rastisur që të sheh të rinj që në mënyrë të organizuar kanë grumbulluar mjete për të ndihmuar familjet nevojtare dhe se edhe ajo ka ndihmuar me aq sa ka pasur mundësi.

“Ndihmojmë aq sa kemi mundësi jemi edhe solidar. Nëse kemi një standard të mitë të jetesës atëherë edhe kemi mundësi të ndihmojmë. Tek në shqiptarët zakonisht ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë gjatë festave”, tregon ajo.

Burim Syta është edhe një i ri tjetër nga qyteti i Gjilanit i cili nuk kursen asgjë për të ndihmuar njerëzit e afërt të tij.

Ndihmojë nganjëherë, por më shumë njerëzit që i njoh, fëmijët kur kërkojnë lëmoshë nuk iu ndihmojë shumë”, shton ai.

Derisa, Edmond Haxhiaj student në Fakultetin Ekonomik thotë se si student nuk ka shumë mundësi të ndihmojë por që ndihmën e tij e ka shprehur në mënyra të ndryshme dhe pa u kursyer fare.

“Jam student dhe nuk jemi në gjendje të ndihmojë, por ndodh kur shoh njerëz në rrugë dhe kur kam mundësi iu ofrojë ndihmë”, shton ai.

Gentina Musliu, ndërkaq solidaritetin e saj e ka shprehur duke blerë gjëra të cilat kanë qenë në shitje e që kanë pasur për qëllim t’i ndihmojnë dikujt që ka nevojë.

“Nuk kam ndihmuar dikë që ka kërkuar para, por që kam blerë gjëra që kanë qenë në shitje për qëllim humaniteti, kam blerë zakonisht ato gjëra”, tregon ajo.

Muaji i solidaritet në Kosovë organizohet nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Qytetarët mund t`i ndihmojnë njerëzit në nevojë nëpërmjet kryqit të kuq duke dhuruar veshmbathje, pako higjienike, ushqime apo edhe gjëra tjera.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG