Ndërlidhjet

Opsioni i ri politik në Maqedoni, i imponuar nga dështimet


Dështimet e partive ekzistuese në realizimin e programeve politike dhe të premtimeve të shumta për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, janë arsyet kryesore për lindjen e partive të reja politike.

Kështu vlerësojnë iniciatorët e një subjekti të ri politik, që pritet së shpejti të dalë në skenë.

Afrim Gashi nga Lëvizja politike “Besa”, siç do të quhet partia, thotë se që nga vendosja e pluralizmit në Maqedoni, partitë shqiptare asnjëherë nuk kanë arritur të artikulojnë kërkesat e qytetarëve shqiptarë për barazi, qoftë kombëtare apo ekonomike në shtet.

“Ne nuk kemi mundur më të qëndrojmë anash përskaj gjithë padrejtësive, diskriminimeve që po bëhen në të gjitha segmentet e shoqërisë. Kjo ka bërë që të bëhemi të gjithë bashkë për të luftuar këto dukuri dhe të sjellim një frymë të re në politikë. Ne mendojnë se kjo që është bërë deri më sot në Maqedoni nuk reflekton përfaqësimin dhe të drejtat që duhet ti kemi".

"Ajo që sot na përfaqëson nuk është reale andej synojnë të bëjnë ndryshimin në politikë, kjo është arsyeja, dmth nuk kemi arsyeje personale, grupore apo klanore, por thjesht na ka nxitur ndërgjegjja, dëshira për të bërë një punë më të mirë për të gjithë pasi duke e ditur se mund të bësh diçka të mirë dhe të qëndrosh anash nuk është as njerëzore e as humane”, thotë Gashi.

Iniciatorë për formimin e subjektit të ri politik janë personalitete të sferave të ndryshme, por që më parë nuk kanë qenë të përfshirë në politikë.

“Kjo, e kaluara e pastër e këtyre personave si dhe programi i qartë që tanimë ka nisur të paraqitet në opinion”, sipas Afrim Gashit i jep atyre të besojnë se mund të mos e përjetojnë fatin e partive tjera të reja që kanë dështuar në synimin për tu imponuar si subjekt politik.

“Koncepti i ri, me njerëz të ri është një prej identifikimeve të subjektit tonë politik. Ne nuk kemi dashur që në subjektin tonë të ketë njerëz me bagazh politik të kaluar. Megjithatë, ne jemi në kontakt me të gjithë, me ish politikan, profesor e personalitete tjera të dijes e shkencës, ne do ti konsultojmë të gjithë ata, por dëshirojmë që të sjellim një gjak të ri, një elan, motivim më të lartë tek të rinjtë pasi vetëm ata mund ta realizojnë konceptin tonë”, thekson Gashi.

Njohësit e çështjeve politike thonë se në Maqedoni ka hapësirë për veprimin edhe të një partie të tretë.

Alajdin Demiri, ish politikan, tani profesor universitar thotë se dy partitë ekzistuese kanë kontaminuar, skenën politike, siç shprehet ai, por ato nuk hezitojnë të bashkëpunojnë kundër një partie të tretë kur do të paraqitet në skenë.

“Hapësira politike për partitë të re është e lirë, por kur paraqitet një subjekt i ri, partitë aktuale mobilizohen dhe harmonizohen që ti parandalojnë ato. Mirëpo një polikë apo parti e re substanciale, me një platformë dhe program të ri dhe me njerëz intelektual që mund ta mbajnë barrën, unë mendoj se kanë hapësirë të veprojnë dhe miti për politikëbërjen në Maqedoni të ndryshojë për arsye se krizat të cilën e prodhon politika aktuale janë gjithnjë e më të mëdha ndërsa në derë do të trokasin kriza edhe më të thella dhe më serioze”, thotë Demiri.

Nga ana tjetër, Sonja Stojadinovic, ligjëruese e sistemit politik në Universitetin e Shkupit ndalet në konceptin qytetar të subjektit të ri politik që pritet të dalë në skenë.

Ajo thotë se ky është një hap i mirë nëse arrin të ekzistojë pas tij pasi sipas saj, raste të tilla kishte edhe në kaluarën, por që kanë dështuar për shkak të ndryshimit të konceptit.

“Se do a të mund të mbijetoj një parti e tillë, apo nëse do të ketë ndikim në skenën politike varet nga njerëzit që do ta udhëheqin, pasi partitë aktuale megjithatë kanë trupin e tyre votues i cili është mjaft homogjen. Sa i përket konceptit, unë jam skeptike se do të qëndrojnë ata pas tij pasi edhe më parë pasur raste të tillë, por që më vonë kanë kaluar në koncepte etnike. Besoj se edhe në bllokun maqedonas ka hapësirë për një opsion të tretë, por edhe këtu gjithçka varët nga njerëzit që mund të paraqiten”, thotë Stojadinoviq.

Në skenën politike në Maqedoni ka dhjetëra parti politike, por vetëm katër prej tyre janë fuqishëm në skenë, VMRO-ja dhe LSDM-ja tek maqedonasit, edhe atë që nga pavarësia e Maqedonisë ndërsa tek shqiptarët janë Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Kjo e fundit në skenë është që nga viti 2001 dhe që atëherë është në pushtet, me përjashtim të dy viteve, (2006-2008) kur në qeveri ishte PDSH-ja.

XS
SM
MD
LG