Ndërlidhjet

Pakistan: Nga operacioni i ushtrisë janë vrarë 33 militantë


Pamje gjatë largimit të banorëve nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës së ushtrisë pakistaneze kundër militantëve

Pamje gjatë largimit të banorëve nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës së ushtrisë pakistaneze kundër militantëve

Ushtria e Pakistanit ka njoftuar se nga dy sulme të ndara ajrore me aeroplanë dhe helikopterë luftarakë, janë vrarë 33 militantë dhe janë shkatërruar nëntë strehimore të tyre, gjatë ofensivës së armatës pakistaneze në rajonin fisnor në Vaziristanin Verior.

Në njoftimin e sotëm të ushtrisë theksohet se sulmet ajrore, sot herët në mëngjes, afër lokalitetit Datta Khel, i kanë shkatërruar pesë strehimore të tilla duke i vrarë 18 militantë. Më vonë gjatë ditës, nga sulmet me helikopterë janë goditur katër strehimore të tjera në hapësirën Gharlami, me ç’rast janë vrarë 15 militantë të tjerë, raporton AP nga Islamabadi.

Vaziristani Verior ishte strehim i sigurt për grupet e ndryshme militante, derisa në mes të këtij viti, ushtria e filloi operacionin e vet.

Nga kjo ofensivë e ushtrisë pakistaneze, 800 mijë banorë të Vaziristanit Verior janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ushtria thotë se e ka pastruar 90% të këtij rajoni nga militantët.

XS
SM
MD
LG