Ndërlidhjet

logo-print

Blloku kthehet sërish kah seanca e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, insistojnë që Kuvendi të mblidhet sërish në kërkim të gjetjes së zgjidhjes për kryetarin e këtij institucioni.

Ndonëse nuk kanë kumtuar të kenë lëvizur nga pozicionet e fillestare, Mustafa dhe Haradinaj, besojnë se Kuvendi duhet të vazhdojë seancën deri në gjetjen e zgjidhjes.

Kryetari i LDK-së, Mustafa, i cili ishte nominuar nga koalicioni pas zgjedhor për postin e kryetarit të Kuvendit, por një mundësi e tillë i ishte kontestuar nga Gjykata Kushtetuese pasi që nuk i përket partisë fituese të zgjedhjeve, beson se zgjidhja ekziston dhe ajo duhet të dalë si rezultat i seancës së Kuvendit.

"Konsiderojmë që edhe presidentja edhe subjektet e tjera duhet të jenë në Kuvend, në mënyrë që në Kuvend të gjendet zgjidhja. Mendojmë që shumica parlamentare, në një sistem parlamentar gjithmonë duhet ta ofrojë zgjidhjen dhe ne po presim që të thirret vazhdimi i seancës", ka thënë Mustafa.

Koalicioni pas zgjedhor LDK, AAK dhe Nisma pa Lëvizjen Vetëvendosje, i ishte drejtuar me një kërkesë edhe presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga me të cilën, kërkonin që presidentja t'i drejtohej për sqarime Gjykatës Kushtetuese për pikën 127 të aktgjykimit për postin e kryetarit të Kuvendit.

Insistimi i këtij blloku ka të bëjë me atë se a munden edhe partitë jo fituese të zgjedhjeve të propozojnë kryetarin e Kuvendit, pasi që Partia Demokratike e Kosovës nuk po e merr mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Megjithatë, presidentja kishte refuzuar që të bënte një kërkesë të tillë.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i nominuari i këtij koalicioni për postin e kryeministrit thotë se Presidentja është dashur të luante një rol më aktiv, duke insistuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kryesuesja e seancës, deputetja më e vjetër Flora Brovina, që Kuvendi të mblidhet në kërkim të zgjidhjes.

Haradinaj nuk ka shprehur gatishmëri as për një takim të përbashkët të liderëve politik me presidenten në kërkim të zgjidhjes, duke e transferuar gjithë procesin vetëm në seancë të Kuvendit.

"Kem dijeni për idenë e saj për një takim të përbashkët, por e vërteta është se ne kemi zhvilluar shumë takime me presidenten. Ne nuk shohim rezultat nga takimi me të dhe takimi i përbashkët me gjithë liderët. Ne shohim rezultat nëse presidentja kërkon nga kryesuesja, që të thërras seancën", ka deklaruar Haradinaj.

Për krizën rreth formimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ka folur edhe ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

"I ftoj liderët politikë të Kosovës, që t’i lënë anash dallimet e tyre politike dhe t’i formojnë institucionet sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrë që të lëvizet përpara me çështjet që Kosova i ka para vetës”, ka thënë ambasadorja Jacobson.

Ndërkohë që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u ka bërë tashmë me dije liderëve dhe partive parlamentare se duhet të gjejnë një zgjidhje kushtetuese për tejkalimin e ngërçit politik, pasi që mungesa e zgjidhjes po e shtyn vendin drejt një krize jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore.

Në rast se zgjidhja nuk do të arrihet, Jahjaga i ka paralajmëruar partitë politike se opsioni i fundit do të mbeten edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG