Ndërlidhjet

Ngrohtoret në Maqedoni, ndotëse të ambientit


Pamje nga një protestë për mbrojtje të ambentit në Shkup
Pamje nga një protestë për mbrojtje të ambentit në Shkup

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik kanë nxjerrë në pah se qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë ankohen nga sëmundjet të cilat janë të ndërlidhura me ndotjen e ambientit jetësor, përkatësisht 40 për qind e qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë shëndetësore muajin e fundit janë ankuar nga problemet me sistemin respirator.

Ministri i Ambientit në Maqedoni, Nurhan Izairi ka theksuar se nuk do të ketë asnjë prolongim sa i përket plotësimit të kushteve ekologjike, i cili i detyron ndotësit e mëdhenj në vend, që deri më 31 tetor, të instalojnë filtrat mbrojtëse të ajrit duke theksuar se do të pasojnë dënime konkrete për të gjithë ata të cilët nuk do të respektojnë ligjin.

Ministri Izairi për mediat ka sqaruar se ngrohtorja Makstill nga Shkupi tanimë ka ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushu standardet, gjersa gjiganti industrial Jugohrom nga Tetova, nuk ka plotësuar as kushtet elementare për të vendosur filtra në oxhaqet e fabrikës.

Sipas ministrit, kjo do të thotë se nga një nëntori duhet të ndërpresë punën ose në të kundërtën do të përballet me sanksione.

Arjanit Xhaferi, aktivist për mbrojtjen e ambientit jetësor, thekson se në Tetovë nuk mund të flitet për ajër të ndotur, përderisa grimcat PM10 në ajër janë njëzet herë mbi shkalën e lejuar.

“Analizat e realizuara nga njerëzit profesionist të kësaj lëmie kanë nxjerrë në pah se Jugohromi me pjesë me 65 për qind të ndotjes në rajonin e pollogut-Tetovë. Kështu që mbyllja e gjigantit metalurgjik do të zgjidh 65 për qind të problemit, të shprehemi kushtimisht, sepse akoma do të mbetet prezent problemi i ndotjes së ajrit nga veturat, djegia e gomave, djegia e deponive dhe burime të tjera që kontribuojnë në ndotjen e ajit”, thekson Xhaferi.

Ai nënvizon se veprimet e qeverisë për mbylljen e gjigantëve industrialë që s'kanë vendosur filtra në oxhaqet e tyre, janë të vonuara dhe njëkohësisht ka nxjerrë në pah mungesën e një plani operativ për të zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit në plan afatgjatë.

“Afati i fundit për vendosjen e filtrave vërtetë është paralajmëruar për 31 tetor, por afatet e këtilla ishin vendosu më parë edhe nga ish ministri i Ekologjisë Ademi, dhe të njëjtat nuk u respektuan. Tani mbetet të shohim në do të respektohet vërtetë kësaj radhe nga ana e organeve shtetërore. Megjithatë, mbyllja e Jugokromit do të shkatojë një problem tjetër, do të pastrojë ajrin por do të lë pa punë 1 mijë punëtorë, përkatësisht pa të ardhura njëmijë familje”, thekson Xhaferi.

Ai thotë se duhet kërkuar përgjegjësi pse ky gjigant industrial (Jugohromi) nuk i është përmbajtur planit operativ të nënshkruar me qeverinë, që krahas punës, të plotësojë standardet, të invesojë në vendosjen e filtrave.

"Ishte paraparë që brenda pesë viteve të investohen rreh 12 milionë euro për mbrojtjen e ambientit, vendosjen e filtrave. Këto para është shumë evidente se nuk u investuan, thjesht nuk dihet se në xhepat e kujt shkuan këto mjete”, shprehet Xhaferi.

Nga ana tjetër, Aleksandra Buxhakovska, nga organizata joqeveritare FRONT 21/42 thotë se gjigantët e mëdhenj të industrisë gjejnë më shumë mënyra se si të anashkalojnë gjobat të cilat parashihen me Ligjin për mbrojtjen e ambientit jetësor.

“'Makstill' bashkë me një mori degësh të industrisë përbëjnë mbi 40 për qind të ndotësve në kuadër të qytetit të Shkupit. Shumë herë kemi qenë dëshmitarë se si 'Makstill' në orën gjashtë të mëngjesit, ose në orën dhjetë të mbrëmjes lëshon 'emisione gazrash', kohë kjo kur nuk punon inspektorati i ambientit jetësor”, thotë Bujajovska.

Ndryshe, gjatë muajit tetor, në shumë qytete të Maqedonisë është shënuar shkallë e lartë e ndotjes së ajrit.

Si qytete më të rrezikuara janë fokusuar Tetova, Kërçova, Manastiri dhe disa lagje të Shkupit.

Matjet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, tregojnë praninë e grimcave të ngurta PM10 në Tetovë prej 234 mikrogramë në metër kub, stacioni matës në Lisiçe tregon 151, në qendër të Shkupit 113, në Manastir 106 dhe në Kërçovë 147 mikrogramë në metër kub, ndërkohë që prania e lejuar e grimcave PM10 është 35 mikrogramë në metër kub .

Për të ulur shkallën e ndotjes së ajrit, zyrtarët e ambientit jetësor nga qytetarët kanë kërkuar që më shumë të fokusohen në shfrytëzimin e transporti publik, si dhe të shmangin tërësisht mbetjet e vajrave të djegura, ato të mobileve, si dhe copëzat e gomave për ngrohje të hapësirave.

XS
SM
MD
LG